Kryeministri Edi Rama ka rishpërndarë deklaratën e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi në platformën X, lidhur me fushatat që mund të përfshijnë dezinformimin në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vendosi t’i paraqesë një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Kryeministri Rama është shprehur se kjo është “shumë e rëndësishme për të ecur përpara me shpejtësi të plotë”.

Deklarata e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi:

Duke u bazuar në angazhimet e Shqipërisë që rrjedhin nga: Memorandumi i Mirëkuptimit i datës 15 shkurt 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së për të adresuar manipulimin e informacionit nga aktorët e shteteve të huaja; Deklarata e Tiranës e 28 shkurtit 2024 e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore; dhe rekomandimet e BE-së për “vazhdimin e përpjekjeve për mbylljen e hapësirës për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit”,

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vendosi t’i paraqesë një kërkesë Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Komisioni i Posaçëm do të zbatojë një qasje holistike dhe afatgjatë për adresimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike, që mund të përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale për të ndikuar në opinionin publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet për dezinformim, shantazhimin ekonomik të aktorëve publikë dhe manipulimin e shoqërisë civile.