Ish-bashkëshorti i Britney Spears, Sam Asghari, ka vetëm kujtime të bukura nga koha e tij me yllin e muzikës pop.

Modeli dhe aktori, i cili u nda me krijuesen e hitit “Toxic” në gusht pas një viti martesë tha se nuk mban mëri ndaj ish-partneres së tij, edhe pse ishte ai që bëri kërkesën për divorc. 29-vjeçari tha për revistën People se “ishte një bekim të ishe në gjendje të ndaja jetën me dikë për një kohë të gjatë. Kurrë nuk e kam kuptuar kur njerëzit ndahen dhe flasin keq për njëri-tjetrin”.

“Kjo është diçka që nuk do ta bëj kurrë sepse nuk pata asgjë tjetër veçse një përvojë dhe një jetë të mrekullueshme”, tha ai, duke shtuar se, për momentin, ‘e vetmja grua’ në jetën e tij është qenushja, një ‘Doberman’ i quajtur Porsha. Në gusht, Sam theu heshtjen pasi paraqiti kërkesën për divorc duke postuar në Instagramin e tij një mesazh emocionues.

“Pas gjashtë vitesh dashuri dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit, unë dhe gruaja ime kemi vendosur të përfundojmë rrugëtimin tonë së bashku. Ne do të mbajmë dashurinë dhe respektin që kemi për njëri-tjetrin dhe i uroj asaj më të mirën gjithmonë“, shkroi Sam.

Ndërkaq, Spears po feston një tjetër moment historik në rrugëtimin e saj. Libri “The Woman In Me” i këngëtares ka shitur mbi dy milionë kopje në SHBA. Shifrat e kombinuara të shitjeve përfshijnë formatet me kapak të fortë, audio-libër dhe ebook. “Libri im ka shitur zyrtarisht mbi 2 milionë kopje në SHBA. Faleminderit të gjithë fansave që më kanë mbështetur mua dhe historinë time. Ju dua të gjithëve”,-tha Spears në një deklaratë.