Gjykata e ekstradimeve në Londër e ka vlerësuar si të plotë dosjen dërguar nga Ministria e Drejtësisë në Shqipëri, për katër britanikët dhe një shqiptarë të kërkuar për vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin vitin e shkuar.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, e ndoqi online këtë seancë nga ku u vendos data 25 Mars për nisjen e shqyrtimit në themel të kërkesës së shtetit shqiptarë.
Edmond Haxhia i kërkuar nga drejtësia shqiptare nën dyshimin se organizoi vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, u paraqit në gjykatë përmes video link nga burgu Wandsworth në Londër ku mbahet në paraburgim.
Edhe Thomas Mithan bashkë me Steven Hunt iu bashkuan seancës po nga burgu Wandsworth me video-link.
Ata bashkë me avokatët e tyre pranuan nisjen e shqyrtimit të kërkesës të Shqipërisë më 25 Mars. Shqyrtimi i kësaj dosje ekstradimi parashikohet të zgjasë shtatë ditë.
Dy të kërkuarit e tjerë Harry Simson dhe Harriet Bridgerman i është komunikuar ky vendim disa ditë më parë.
Hetimet e prokurorisë së Lezhës për këtë vrasje kanë mbërritur në përfundimin e katër britanikët erdhën në Shqipëri dhe dyshohet se vepruan për të mbajtur në vëzhgim viktimën.
Ndërkohë portugezi Ruben Saraiva me nënshtetësi portugeze dhe rezidencë Angli dyshohet se është ekzekutori Nikulajat.
Ai u ekstradua nga Maroku në Shqipëri fund-vitin e shkuar.
Shteti shqiptarë do ta mësojë vendimin e gjykatës së Londrës nëse do të jetë në favor apo jo të ekstradimit të tyre fundin e muajit Prill.
Edhe nëse vendimi do të jetë pro ekstradimit të katër britanikëve dhe shqiptarit Edmond Haxhia, beteja ligjore do të zhvendoset në Gjykatën e Apelit.
Të kërkuarit e kësaj dosje nuk do të jenë në dispozicion të drejtësisë shqiptare deri në fund të këtij viti.