Shqipëria ka rritur ndjeshëm investimet në sektorin e sektorin e mbrojtjes, ku për herë të parë këtë vit janë akorduar fonde që arrijnë nivelin 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projeksionet janë që kjo rritje të jetë e përvitshme, ku brenda 10 vitesh synohet të arrihet niveli 2.8 % i Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Investimet janë në disa drejtime; në rinovimin e bazave ushtarake, ndërtimin e bazave të reja, investime në teknologji dhe sidomos investime të forca njerëzore. Veç Bazës së re Ajrore të NATO-s që u inaugurua pak javë më parë, janë edhe një serë investimet të reja që do të realizohen.
Plani është që brenda pak vitesh Shqipëria të ketë një ushtri dhe sistem mbrojtje të ngjashëm me atë të NATO-s dhe që i përgjigjet çdo sfide që mund të paraqitet për sigurinë kombëtare të vendit tonë. Plani Afatgjatë i Zhvillimit (PAZH) i Forcave të Armatosura jep detaje të mëtejshme të mënyrës sesi Shqipëria do të investojë për mbrojtjen.
Strategjia parashikon përfundimin e masterplaneve të garnizoneve kryesore dhe fillimi i investimeve për rijetësimin e tyre. Më konkretisht do të investohet në garnizonet Zall-Herr, Ferraj e Pezë Helmës.
Po ashtu, parashikohet ndërtimi i infrastrukturës stërvitore në Pajet, Bizë dhe në Mnelë.
Në listën e investimeve është edhe zhvillimi i infrastrukturës pritëse dhe akomoduese portuale dhe aereoportuale në Porto Romano dhe bazën detare Pashaliman. Synimi i qeverisë shqiptare është që Porto Romano të jetë Baze detare e NATO-s, kërkesë që është në proces shqyrtimi. Ndërkohë për bazën detare në Pashaliman kanë nisur procedurat e rinovimit me fondet e qeverisë shqiptare. Po ashtu, investim i pritshëm është edhe në Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare si dhe blerja e 6 anijeve të mesme patrulluese.
Nga ana tjetër, investimet parashikojnë modernizimin e Bazës Ajrore Farkë, ku përveç rinovimit që ka nisur, do të kompletohet me helikopterë Blackhaëk .
Investime parashikohen edhe për krijimin e Bazës Tokësore të Mbrojtjes Ajrore si dhe përmirësimi i Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të vendit, ku veç një radari fiks, do të investohen edhe në 2 radarë të lëvizshëm.
Në listën e investimeve është edhe ndërtimi i rrjetit kompjuterik të klasifikuar “NATO Sekret” në Forcat e Armatosura dhe ndërtimi i Kampusit të ri Universitar. Në total, parashikohet që Shqipëria të investojë 122 miliardë lekë për modernizimin dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturën.