Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkarkuar shefin e Shërbimit të Gardës Shtetërore, i cili është personi përgjegjëse për mbrojtjen e kreut të shtetit. Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi dy nga oficerët e kësaj agjencie u arrestuan pasi ishin pjesë e një komploti të përgatitur nga Rusia, për atentat kundër Zelensky-t.
Shkarkimi i shefit të UDO-së, Serhii Rud u zbulua në një dekret presidencial, por asnjë arsye nuk është dhënë për largimin e tij.

Sipas medias shtetërore ukrainase Ukrinform, Rud u emërua si truproja më i lartë i Zelensky-t në tetor 2019. UDO ka për detyrë të garantojë sigurinë e presidentit të Ukrainës dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë, si dhe mbrojtjen e ndërtesave administrative.
Por, në fillim të kësaj jave shërbimi sekret ukrainas dhe policia vunë në pranga dy zyrtarë të sigurisë që dyshohet se ishin të përfshirë në komplotin e radhës për ta ekzekutuar Zelensky-n.

“Dy kolonelë në UDO u akuzuan për kryerjen e aktiviteteve subversive kundër Ukrainës në këmbim të kompensimit financiar”, tha të martën zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.
Të dy kolonelët u akuzuan për tradhti, ndërsa njëri u akuzua gjithashtu për përgatitje të një akti terrorist.

SBU njoftoi se ndërhyrja e tyre kishte bërë që të “dështonin” planet për të vrarë Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas, duke përfshirë kreun e këtij shërbimi, Vasyl Maliuk dhe kreun e Inteligjencës së Ukrainës, Kyrylo Budanov. Zyra e prokurorit tha se njëri nga të dyshuarit mori dy dronë dhe municione nga shërbimi i sigurisë shtetërore të Rusisë (FSB), të cilat ata synonin t’i transferonin te një bashkëpunëtor tjetër për të kryer një shpërthim.