Familjet e demonstruesve të vrarë nga forcat e sigurisë në një protestë kundër qeverisë në 2011 kanë ripërtërirë shpresat për drejtësi pasi Gjykata e Lartë e transferoi çështjen në SPAK.
Nga Fjori Sinoruka
Ishte demonstrata e parë që rezultoi në vrasje protestuesish që nga fundi i regjimit represiv komunist të Shqipërisë dhe është parë prej kohësh si një test për sistemin e drejtësisë në vend – një test në të cilin ai ka dështuar deri më tani.
Më 21 janar 2011, Edi Rama, në atë kohë kreu i Partisë Socialiste të opozitës, drejtonte një demonstratë kundër qeverisë së kohës, të kryesuar nga politikani i Partisë Demokratike Sali Berisha, përpara kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.
Protesta u thirr nga Partia Socialiste pasi u shfaq një video që implikonte ministrin e Jashtëm të atëhershëm Ilir Meta në aktivitete korruptive – duke e treguar atë teksa diskutonte se si të përfitonte nga një tender publik.
Gjatë protestës shpërtheu dhuna, ndërsa protestuesit u përleshën me policinë dhe katër protestues – Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika – u qëlluan nga Garda e Republikës. Nga të shtënat me armë u plagosën disa të tjerë.
Dy vjet më pas, komandanti i Gardës së Republikës dhe një gardian u dënuan për neglizhencë në vdekjen e Veizit dhe Myrtajt, por jo për vrasjen e tyre.
Megjithatë, vdekja e Dedës dhe Nikës në mënyrë kontroverse mbeti e pandëshkuar dhe e tillë ka mbetur edhe sot e kësaj dite. Por tani ka një fije shprese për familjet.
Në shtator të vitit 2023, të afërmit e Nikës bënë një kallëzim penal duke akuzuar ish-kryeministrin Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi se urdhëruan qëllimin e protestuesve.
Një zhvillim muajin e kaluar më pas u dha atyre shpresa të reja. Më 12 mars, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi të urdhërojë Prokurorinë e Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, të marrë përsipër procedimin penal. SPAK-u është një ent gjyqësor i pavarur që është përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të nivelit më të lartë në Shqipëri.
Vendimi i Gjykatës së Lartë për transferimin e çështjes në SPAK vjen pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, konstatoi në nëntor 2023 se hetimet e papërfunduara kishin shkelur të drejtën e jetës së viktimave.
GJEDNJ konstatoi gjithashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e asaj kohe dhe konkretisht nga kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimi të përfshinte komandantët e Gardës së Republikës, jo vetëm oficerët që hapën zjarr.
Rigels Xhemollari, një ekspert i arsimit dhe rinisë nga Qëndresa Qytetare me qendër në Tiranë, tha se ai beson se marrja në dorëzim e çështjes nga SPAK do të thotë se do të ketë “një hetim më të mirë, më gjithëpërfshirës dhe adekuat”.
Xhemollari beson gjithashtu se vendimi i Gjykatës së Lartë që SPAK duhet të hetojë vdekjet përfaqëson një precedent për shqiptarët e tjerë që mund të duan që autoritetet të hetojnë raste të tjera padrejtësie.
“Që nga ky moment, kushdo mund të përdorë këtë precedent për të rivendosur një të drejtë të mohuar nga organet e drejtësisë në vend”, tha ai.
“Prokurorë pa shtyllë kurrizore”
Pas vdekjeve në vitin 2011, Prokuroria e Tiranës akuzoi fillimisht Ndrea Prendin, i cili ishte komandant i Gardës së Republikës, dhe gardianin Agim Llupo për vrasjen e Myrtajt dhe Veizit. Prokuroria kërkoi respektivisht 23 dhe 25 vjet burg.
Në shtator 2013, Gjykata e Apelit në Tiranë e dënoi Prendin me një vit burg dhe Llupon me tre vjet, duke konkluduar se viktimat vdiqën nga pakujdesia, por se Prendi dhe Llupo nuk ishin fajtorë për vrasje. Vendimi i diskutueshëm shkaktoi reagime të zemëruara nga publiku.
Ndërkohë, prokuroria nuk ngriti asnjë çështje për vrasjen e dy protestuesve të tjerë, Nika dhe Deda, apo për plagosjen me armë zjarri të gjashtë personave të tjerë gjatë demonstratës, dhe e la në pritje për vite me radhë çështjen ndërkohë që kërkonte prova.
Familjarët e viktimave kanë pohuar prej kohësh se Prokuroria e Tiranës, e cila ishte përgjegjëse për çështjen përpara kalimit të saj në SPAK, nuk po e bënte punën e saj me themel.
Gjatë përkujtimit të vdekjeve më 21 janar të këtij viti, Edi Rama, tashmë kryeministër, akuzoi Prokurorinë e Tiranës për mosveprim dhe e cilësoi atë si “pa shtyllë kurrizore”.
Çdo janar, Rama përkujton protestuesit që vdiqën në protestën e vitit 2011 të thirrur nga partia e tij dhe çdo vit bën thirrje që të vendoset drejtësi.
Megjithatë, vetëm dy vjet pas incidentit, Rama krijoi një koalicion me politikanin kundër të cilit protestuesit e 2011 protestonin për gjoja korrupsion – Ilir Metën.
Aleanca me Metën, në atë kohë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, çoi në një fitore parlamentare për socialistët e Ramës. Meta tani kryeson Partinë e Lirisë në opozitë.
Anila Hoxha, gazetarja që mbuloi protestën e vitit 2011 dhe më pas çështjet gjyqësore që rrjedhin prej saj, tha se vrasjet e Dedës dhe Nikës kanë mbetur të pa ndjekura penalisht pavarësisht se “çdo përvjetor politikanët janë kujtuar të përcjellin mesazhe duke kërkuar zbardhjen e incidentit”.
Hoxha vuri në dukje gjithashtu se lajmet për progres në vazhdimin e hetimit për vdekjen e Dedës dhe Nikës janë bërë shpesh publike nga sistemi i drejtësisë apo policia e Tiranës “një ditë përpara përvjetorit, ose në ditën e përvjetorit”.
“Por 13 vite nga vrasja e katër personave në bulevard, pavarësisht mesazheve nga politikanët, zgjimit në përvjetorë, marshimeve për drejtësi në bulevard, vrasja e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës nuk ka autorë të njohur dhe për pasojë nuk janë zbardhur”, tha ajo.
Optimizëm dhe kujdes
Afrim Krasniqi, një ekspert politik që drejton Institutin për Studime Politike me qendër në Tiranë, tha se ai e mirëpret vendimin për transferimin e çështjes në SPAK.
“Rihapja e hetimeve për 21 janarin është një lajm i mirë”, tha ai.
“Është një nga ngjarjet më tragjike të periudhës së tranzicionit nga komunizmi që ende nuk është hetuar plotësisht dhe disa nga personat që ishin përgjegjës nuk janë vënë para drejtësisë, të cilët në një hetim të thelluar dhe profesional do të ishin vënë para drejtësisë”, shtoi ai.
“Po kështu, personat që inskenuan një situatë të tillë sollën individë në Tiranë për t’u përballur me policinë dhe institucionet shtetërore”, shtoi ai – duke iu referuar Partisë Socialiste të Ramës, të cilën disa e fajësojnë për organizimin e konfrontimit me forcat e sigurisë jashtë kryeministrisë në 2011.
Megjithatë, ai paralajmëroi, për shkak se partitë qeverisëse dhe opozitare kanë kërkuar prej kohësh të shmangin fajin për vdekjet, “ka shqetësim dhe frikë se interesat politike do të mbizotërojnë mbi nevojën për drejtësi”.
Sipas mediave shqiptare, familjarët e Aleks Nikës ishin në Gjykatën e Lartë kur u mor vendimi për hetimin e çështjes nga SPAK dhe u shprehën optimistë për vendimin për shkak të reputacionit të prokurorisë speciale për arrestimin e pushtetarëve.
“E vërteta fiton gjithmonë,” tha Rajmonda, e veja e Nikës.