Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbrojtur paktin me Ramën për azilkërkuesit, madje duke i propozuar grupit të 7 vendeve më të industrializuara një aleancë globale kundër imigracionit të paligjshëm. Meloni i konsideroi si absurde sulmet e të majtës italiane që nuk ka asnjë propozim konkret për këtë çështje.

“Jam e befasuar nga sulmet e se majtës kundër marrëveshjeve që kemi arritur me disa shtete për të trajtuar siç duhet emigracionin e paligjshëm. Ata i thonë jo marrëveshjes me Tunizinë, jo marrëveshjes me Egjiptin, pa përmendur atë me Shqipërinë, ku do të trajtohen kërkesat për azil. Nuk e kam kuptuar ende se cilat janë zgjidhjet e tyre për këtë problematikë, thjesht na thonë se ne duhet që t’i anulojmë ato marrëveshje. Pra, le të heqim dorë nga pakti me Tunizinë, nuk duhet të flasim me Libinë. Sipas tyre ne jemi larg zbatimit të parimeve të shtetit ligjor me Shqipërinë. Ata po bëjnë gjithçka për të ngadalësuar punën tonë, por ne do të vazhdojmë dhe rezultatet do të shfaqen jo aq shpejt sa prisnim, por jemi optimistë. Kemi një ulje prej 60% të numrit të atyre që vijnë ilegalisht përmes Mesdheut në krahasim me një vit më parë.”

Meloni tha se janë të shumtë krerët e shteteve që e marrin në telefon për të mësuar për modelin italo-shqiptar, i cili është jo vetëm kreativ, por edhe inovativ.

“Plani me Shqipërinë është kreativ dhe inovativ. I kam ndjekur të gjithë përfaqësuesit e së majtës italiane që shkonin në Bruksel duke u ankuar se marrëveshja me Shqipërinë shkel parimet e shtetit ligjor me shpresën se ata do të deklaroheshin kundër saj. Tani jam optimiste sepse disa shtete anëtare duan të marrin këtë model, duke na pyetur se si do ta vëmë në funksion këtë skemë.”
Italia mban aktualisht presidencën e grupit të 7 shteteve më të industrializuara të globit ndaj Meloni zotohet se do të koordinojë veprimet për t’i shpallur luftë rrjeteve të kontrabandistëve të qenieve njerëzore.