Partia opozitare VMRO-DPMNE ka siguruar një fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut që u mbajtën më 8 maj, ato parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit. Partia VMRO-DPMNE ka nisur festën, ndërsa me 95 për qind e votave të numëruara, kjo parti ka fituar 59 vende nga 120 në total. Për formimin qeverisë nevojiten 61 vende, ndërsa pritet të nisin negociatat me koalicion shqiptar ‘VLEN’ për formimin e qeverisë.

Ndërkohë, kandidatja e VMRO-së për president, Gordana Siljanovska Davkova mori 520 mijë vota kundrejt 234 mijë votave që mori kandidati social-demokrat Stevo Pendarovski, i cili është edhe presidenti aktual. Ky i fundit ia uroi fitoren Siljanovska – Davkova, ndërsa kritikoi, siç tha ai, “ata të cilët penguan mijëra qytetarë të marrin fletëvotimet për të votuar në balotazhin presidencial”, me gjasë duke aluduar për Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Koncepti im për një Maqedoni multietnike, plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, fatkeqësisht nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Megjithatë, jam thellësisht i bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë një shtet i begatë dhe demokratik”, tha Pendarovski.

Koalicioni shqiptar, BDI dhe Fronti Evropian kanë siguruar 19 vende në Kuvend, me 133 mijë vota. Ndërsa koalicioni tjetër shqiptar VLEN, ka marrë 103 mijë vota apo 13 vende në parlament.

Nëse BDI ruan 19 vendet në Kuvend deri në përfundim të numërimit, do të jetë partia e dytë më e madhe në vend, hera e parë në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut për një parti shqiptare.

Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, konsiderohet edhe si humbësi më i madh, pasi sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve rezulton të ketë marrë 18 deputetë apo 144 mjë vota në të gjashtë njësitë zgjedhore të Maqedonisë së Veriut.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se ka biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN, Arben Taravarin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin dhe sot do të nisë takimet për formimin e qeverisë së re. Mickovski akuzoi BDI-në për përpjekje për bojkotimin e balotazhit presidencial, por siç u shpreh ai: “qeveria ra dhe populli e shpëtoi shtetin”.

“Kriminaliteti, korrupsioni, paaftësia, vlerat e rreme, shteti i kapur, tenderat, nepotizmi, gjëra që bënë shtetin të vuajë dhe popullin të dëshpërohet, sonte u mundën”, tha zoti Mickovski, duke kërcënuar se, “100 persona të BDI-së dhe LSDM-së do të përgjigjen për bëmat e tyre”.

Fitorja e VMRO-së është e thellë dhe nuk pritet që ajo t’i ofrojë partisë shqiptare një numër të përafërt të ministrive siç kishte BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët në qeverinë me LSDM-në.

Partia “Znam” e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka siguruar 5 vende në parlament dhe ka gjasa të mëdha të hyjë në koalicioni e ri qeveritar. Nëse ndodh kjo, atëherë shumica e pritshme parlamentare do të ketë 77 ligjvënës, shumë afër numrit të dy të tretave. Partia nacionaliste “E Majta” fitoi 6 vende në parlament, që po ashtu vlerësohet një sukses për të, duke patur parasysh se në mandatin aktual ka vetëm dy ligjvënës.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri. Organet e rendit njoftuan për incidente të vogla nëpër disa komuna si ngjitje e pankartave dhe shpërndaje e fletëpalosjeve apo agjitim në Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe në disa vendbanime të tjera.