Nga Ledjon Lico
Ndodh jo rrallë në jetë t’i kthehesh veprave të shkuara dhe thuajse gjithmonë i shikon me një sy tjetër, i ndjen me emocione të reja, kjo sepse bashkë me kohën, sado të përpiqemi, nuk jemi më të njëjtët. Koha mbi ne lë vraga të cilat në bashkëveprim me një copëz arti sillen jo njësoj si dikur. Kjo është edhe arsyeja pse kur lexojmë një libër që kemi lexuar kur ishim dhjetë apo pesëmbëdhjetë më të rinj, kur kudrojmë një vepër arti apo shohim një film me sytë e sodit, tjetër gjë na ngjall brenda nesh.
Ndaj në një mbrëmje boshe të diele vendosa të rishoh, njëmbëdhjet vjet mbas premierës, një nga kryeveprat e kinemasë italiane e botërore te shekullit të fundit “La Grande Bellezza”, e më duhet ta them është dhe më i bukur se atëherë. Sepse edhe pse filmi është i njëjti i 2013, unë nuk kam si të jem i njëjti. Në 10 vitet e fundit kam njohur dashurinë, madhështore, sfilitëse, ashtu siç është ajo e vërteta, në më shumë sesa një formë; diçka që ky film e tregon si pak të tillë.
I nominuar për Palmën e Artë në Festivalin e Kanës, kjo copëz magjie kinematografike e dirigjuar mrekullisht nga Paolo Sorrentino, ka një aftësi të mbinatyrshme për të përçuar një mesazh të thellë mbi shoqërinë në të cilët jetojmë. Rrugëtimet janë shumë të rëndësishme, sepse aty nis të punojë imagjinata, çdo gjë tjetër është zhgënjim dhe trazim. Forca e imagjinatës është, në fakt, forca më e madhe që speciet humane kanë. Rrugëtimi i një xhentëllmeni nga hedonist në mënyrë dekadente në dikë frymëzues, anës Romës rrëzëllitëse xhiruar nga Luca Bigazzi e bën këtë film të jetë i rrallë, duke të shkaktuar efektin që mund të të shkaktojë vetëm poezia.
Xhep Gambardella e nis tregimin e tij në ditëlindjen e 65-të si një shkrimtar që kalon jetën në festat e teprimit roman të orëve të errësirës me një gjëndje boshatie që lexohet vetëm prej shikuesit – i pamundur për t’iu përgjigjur pyetjes që e ka munduar gjithë jetën e tij – kuptimin e vërtetë të bukurisë së madhërishme. Në adoleshencë – kur e pyesnin se cila është gjëja që të ngazëllen më shumë ai i përgjigjej ndryshe nga klasikja e moshatarëve (e bukura mes shalëve të grave); era e shtëpisë së të moshuarve. Sepse Xhep po kërkon të vërtetën, lakuriqësinë e së cilës akoma nuk e ka shijuar. I krahasuar me klasikët e kinemasë Federico Fellini apo Jean-Luc Godard, Sorrentino e tregon historinë nga këndvështrimi i publikut – që ndjek personazhin kryesor në mënyrë organike e kaotike njësoj si Xhejms Xhojs ndjek personazhet e tij tek “Uliksi”. Shumë mund të debatojnë që personazhi i vërtetë kryesor i filmit është Roma, e gjitha, Roma e artit, statujave, besimit, teprimit, klubeve të natës, vrimave të errëta të një qyteti që ka ngelur pezull mes të shkuarës dhe të ardhmes, njësoj si Xhep.
“Roma është aq e bukur, sa dikush mund të vdesë nëse e sheh gjatë”
I krahasuar me “La Dolce Vita” për shkak të historisë së ngjashme, “La Grande Bellezza” qëndron mbi këmbët e veta, për shkak të thellësisë analitike të personazhit të tij, kontrastit mes jetës dhe vdekjes, madhështisë se thjeshtësisë dhe nostalgjisë.
Mbasi Gambardella mëson për vdekjen e parakohshme të dashurisë së tij të parë, ai është i vendosur të gjejë të bukurën larg ekseseve të famës, jetës së natës, rrathëve pseudointelektuale, predikuesve të gënjeshtërt dhe të pushtetshmëve të përkohshëm. Janë të shumta skenat ku shihet se si shoqëria jonë është konformuar për hir të nostalgjisë – duke e bërë këtë të fundit çelësin filozofik të filmit. Kontrapunti i qytetit të përjetshëm për të treguar natyrën efimerale të shumicës së gjërave është një gjetje e përsosur. Sorrentino luan vazhdimisht me kontrapunte të tilla për kotësinë e statusit, parave, të shkuarës, të ardhmes, dhe se sa pak kanë të bëjnë të gjitha me atë që të bën të lumtur. Personazhi i tij i gjendur mes asaj që kërkojmë të gjithë në shoqërinë që jetojmë e ka të pamundur, ndryshe nga të tjerët që takon gjatë rrugëtimit të tij, që kanë shumë më pak – duke patur gjithçka. Në të voglën e tij ky është historia e një burri dhe jetës së tij, e cila u kthye në vanitoze për shkak të një humbjeje, e më vonë në boshe për shkak se vitet ikin shpejt dhe kur koha humb, nuk jemi të vetdijëshëm sa shpejt. Në të vërtetë ky është një mësim për shoqërinë sot, tejet e zhurmshme, materialiste, sipërfaqësore, por boshe, e vetmuar, e pabukur.
Klisheja e paraja nuk mund të blejë dashurinë o lumturinë si një nga temat kryesore të filmit është e trajtuar në mënyrë brilante. Sepse forma këtu është po kaq e rëndësishme sa përmbajtja. Mendimet ekzistenciale të Xhep në lidhje me kuptimin e pyetjes së fillimit janë ato që mundojnë njeriun sot, mbase më shumë se kurrë më parë. Nuk mund ta shohësh këtë film dhe të mos kridhesh në mendime për të tashmen tënde, për të vërtetat e tua, ato që kanë dhe nuk kanë rëndësi, ato pyetje që ja ke bërë vetes dikur e ndërkaq që vitet kanë kaluar shpejt, përgjigjet nuk ja ke dhënë ende. Pop-Kultura është ajo që prevalon në jetët e të gjithëve, edhe të atyre që mund të duken më larg saj – si rasti i dialogut të Xhep me një prift (në rradhë për t’u bërë Papë) nga fundi i filmit. Bukuria e ngjyrave, kuadraturave, personazheve të këtij filmi është po kaq e madhe sa mesazhi që kërkon të tejçojë. Pikëpyetjet filozofike të një shoqërie e cila kolektivisht është pezull mes së shkuarës dhe së ardhmes ja dalin të kthehen në pikëçuditëse të forta dhe lënguese.
“La Grande Bellezza” është si një udhëtim nëpërtë Romës, me një potencial të jashtëzakonshëm për të na ndryshuar ne, shikuesin, në ballafaqimin me veten.