Mbajtja pastër e bregdetit por edhe hapësirave publike vijon të mbetet një sfidë me të cilën po përballen çdo ditë strukturat përgjegjëse, por që në të njëjtën kohë kërkon edhe një ndërgjegjësim qytetar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale mesazhin sensibilizues të vogëlushes Niara, një thirrje përgjegjshmërie për kujdesin ndaj bregdetit dhe hapësirave publike.
“Një mesazh kaq kuptimplotë nga Niara e vogël në bregdet, ku dëshiron të mbledhë guacka e jo mbeturina, si një thirrje përgjegjshmërie për të gjithë ne të rriturit që të kujdesemi për hapësirat publike dhe pastërtinë e plazheve në këtë sezon veror me flukse të jashtëzakonshme turistësh që po zgjedhin të shijojnë Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Procesi i pastrimit në territor kryhet nga bashkitë, por nisur nga flukset e shtuara turistike prej tre vitesh tashmë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të mbështesë njësitë vendore gjatë muajve të fluksit.
Rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maji 2024, duke e çuar në më shumë se 3.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në pesë muajt e parë të vitit në vendin tonë.