Kjo fundjavë, që përkon me fundin e qershorit, ka shënuar lëvizje të lartë automjetesh dhe udhëtarësh në pikën e kalimit kufitarë të Morinit.
Së paku 10 mijë qytetarë kanë hyrë nga Kosova në Shqipëri në orët e mëngjesit për të pushuar në bregdetin shqiptar. Kjo shifër është rekord që prej nisjes së sezonit veror.
Burime zyrtare të policisë kufitare thanë se numri i udhëtarëve që qarkullojnë përmes Morinit është dyfishuar krahasuar me të shtunën e kaluar. Pavarësisht fluksit të madh, në doganën e Morinit, nuk janë vërejtur radhë të gjata.
Kjo edhe për faktin e zbatimit të marrëveshjes mes dy qeverive sipas të cilit për të gjithë automjetet e Shqipërisë dhe Kosovës ,aplikohet kalimi pa kontrolle.
Fluksi i lëvizjes në dyja anët e kufirit të përbashkët Shqipëri-Kosovë pritet të jetë në rritje gjatë korrikut dhe gushtit.
Në kuadër të sezonit veror policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nga 1 korriku nisin patrullime të përbashkëta në akset kryesore që të dërgojnë drejt bregdetit shqiptar. Patrullimet e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nisur shumë vite më parë dhe realizohen gjatë sezonit veror.