Pogradeci çeli dje sezonin turistik 2024, një sezon që sigurisht do të jetë edhe më i suksesshëm se vitin e kaluar.
Bashkia e Pogradecit organizoi dhjetëra aktivitete për çeljen e sezonit të ri që u ndoqën nga qytetarët dhe turistët e shumtë.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e organizuara në qyetin e Pogradecit.
“Me një paketë të plotë turistike nga liqeni i magjishëm tek aktivitetet malore, bashkë me monumentet e kulturës, traditën dhe kulinarinë, Pogradeci tashmë është një tjetër destinacion shumë i kërkuar”, shkruan Rama.
Aktivitetet e çeljes së sezonit veror nisën me bandën frymore, e cila parakaloi në rrugët kryesore të qytetit.
Bujtinat dhe restorantet e qytetit organizuan një panair me ushqimet tradicionale të zonës, ndërkohë artizanët ekspozuan punimet e tyre si në qëndisje, punime me grep, gliko, reçelra të ndryshëm.
Gjithashtu, u zhvilluan edhe një sërë aktivitetesh si koncerte me këngë dhe lojëra për fëmijë.
Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.
Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh.
Në këtë qytet kudo ka bukuri si Lini, një gadishull i vogël në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit me një fshat të bukur me të njëjtin emër. Pogradeci ka edhe mjaft kisha mesjetare si kisha e Shën Bitrit, që vendasit janë mësuar ta thërrasin kisha e Shën Bitrit, ndodhet disa qindra metra larg fshatit Potkozhan.
Turistët dhe vizitorët nuk kanë munguar në asnjë stinë në Pogradec, por kjo verë pritet jetë edhe më e gjallëruar, pasi qyteti është më i bukur, me më shumë aktivitete dhe shërbimi ka arritur nivele shumë të mira.