Policia e Shtetit dhe ajo e Kosovës do të organizojnë shërbime të përbashkëta të policimit rrugor në vendin tonë gjatë periudhës qershor-shtator 2024.
Shërbimet e përbashkëta të patrullimit do të mbështeten në Memorandumin e Bashkëpunimit, të firmosur këtë të shtunë (8 qershor) në Tiranë nga drejtuesit e dy policive.
Memorandumi i Bashkëpunimit thekson rëndësinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në fushën e trafikut rrugor, për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Ai vjen si rrjedhojë e faktit se, gjatë periudhës qershor–shtator 2024, ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, të cilët vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe një numër mjetesh rrugore të Kosovës që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet.
Në bazë të Memorandumit do të intensifikohen marrëdhëniet dhe do të forcohet bashkëpunimi midis policive, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të planeve dhe masave të përbashkëta.
Bashkëpunimi konkret do të ketë si qëllim: Parandalimin e shkeljeve administrative në fushën e trafikut rrugor; Uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor; Krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.
Në Memorandum përcaktohet: Aplikimi dhe shkëmbimi i praktikave më të mira të policimit rrugor; Kryerja e shërbimeve policore për disiplinimin e lëvizjes së përdoruesve të rrugës dhe parandalimin e aksidenteve rrugore; Rritja e parametrave të sigurisë rrugore për përdoruesit e rrugës; Rregullimi i trafikut rrugor dhe aplikimi i sanksioneve administrative, për ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë firmosjes së Memorandumit të Bashkëpunimit, drejtuesit e të dy policive nënvizuan se, eksperiencat e viteve të shkuara në zbatimin e shërbimeve të përbashkëta të patrullimit rrugor kanë qenë pozitive dhe do të shërbejnë si bazë për bashkëveprimin gjatë muajve të ardhshëm.