Nga Dashnor Kaloçi

Aty nga fundi i vitit 1963 dhe fillimi 1964-ës, disa nga gazetat e revistat më të mëdha të Gjermanisë Perëndimore, si; “Suddetutsche Zeitung”, “Stern” etj., botuan një sërë artikujsh, ku thuhej se; Hajnrih Myler, ish-kreu i Gestapos, Obergruppenfurher-SS dhe Gjeneral i Vaffen-SS, Shef i shërbimit të VI (Gestapos), pranë shërbimeve të sigurimit të Rajhut në Berlin, dhe Shef direkt i Adolf Ajhmanit, nuk kishte vdekur dhe se nga viti 1945 e deri në 1955-ën, jetonte në Moskë, ku kishte punuar nën urdhrat e Stalinit, Berias, dhe Malenkovit. Ndërsa nga viti 1955 e, deri në 1956-ën, ai kishte punuar në Budapest dhe se tani aktualisht, (viti 1964) ai, është në shërbimin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha.

Madje në shtypin në fjalë gjermano-perëndimor, nga të cilat më pas u nxitën të shkruanin edhe gazeta e revista të vendeve të ndryshme të Europës Lindore, si “Veçerniki” e Bratisllavës në Çekosllavaki, etj., jepnin edhe detaje mbi jetën e punën e ish-kreut të Gestapos hitleriane në Shqipëri, ku mes të tjerash thuhej se: “Ish – shefi i Gestapos 63 vjeç, jeton në Shqipëri, që nga viti 1956.

Ai ndodhet nën mbrojtjen speciale të diktatorit Enver Hoxha, në shërbim të të cilit ndodhet sot, ashtu siç i kishte shërbyer me radhë Hitlerit, Himlerit, Hajndrihut, dhe Stalinit. Sot Shqipëria, mike e Kinës së kuqe, përfiton nga lidhjet që Hajnrih Myler, ka me ish – shokët e tij të vjetër SS dhe Gestapos, në botën e jashtme.

Njohuritë e tij, çmohen lart në Tiranë. Tani ai quhet, Abedin Beqir Nakoshiri, dhe ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Pas botimit të këtij informacioni, sigurisht do t’i duhet që të ndërrojë identitet. Nakoshiri Myler, është Drejtor i Seksionit të Jashtëm Perëndimor, pranë Shërbimit të Zbulimit Shqiptar. Nakoshiri-Myler, jeton në kryeqytetin Tiranë, sidomos në lagjen më të madhe dhe të mbyllur hermetike, të quajtur ‘Bllok’, ku jetojnë të gjithë funksionarët e lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtarët e qeverisë dhe ushtrisë shqiptare.

Myleri banon këtu, në një godinë luksoze, i veçuar nga qendra e Tiranës, por në një mënyrë pak më të ekspozuar për pjesën tjetër të popullsisë. Por ai, ka dëshirë të frekuentojë hotelin luksoz ‘Adriatik’, ku shijon konjak francez e gjithashtu pëlqen gjithnjë edhe konjakun ‘Hennessy’. Ishte po kjo markë, që e zbuloi dhe e dekonspiroi një vit më parë, nga disa bashkë-atdhetarë të tij, gjermano-lindor, që punonin si specialistë në Portin e Durrësit”.

Sa më sipër, shkrimet e shtypit gjermano-perëndimor dhe më gjerë atij europian, patën një jehonë të madhe, aq sa, përpara selisë së ambasadës shqiptare të akredituar në Vjenë të Austrisë, u zhvilluan disa demonstrata, ku protestues të shumtë i bënin thirrje qeverisë shqiptare, që të dorëzonte Mylerin, pranë autoriteteve përkatëse të drejtësisë gjermano-perëndimore.

Po kështu, në shkrimet në fjalë të shtypit gjermano-perëndimor, analistë të ndryshëm, u bënin thirrje disa krerëve të shteteve, si Valter Ulbrihtit të Gjermanisë Lindore, që të bënte presion te diktatori shqiptar, Enver Hoxha, për të dorëzuar ish-kreun e Gestapos hitleriane, Hajnrih Mylerin.

Po kështu përveç kësaj, lidhur me “çështjen Myler”, në drejtim të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së, u drejtuan shumë letra nga Shoqata të Veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, të Gjermanisë, Francës etj., të cilat i kërkonin qeverisë shqiptare, që t’u jepte sqarime lidhur me akuzat e bëra nga shtypi gjermano-perëndimor, etj., nëse ish-kreu i Gestapos hitleriane, gjeneral-leijtnant, Hajnrih Myler, ndodhej në Shqipëri. Të gjitha këto, e detyruan Tiranën zyrtare, që të reagonte duke dhënë një përgjigje, me anë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe gazetës “Zëri i Popullit”

Lidhur me këto, etj. bëhet e ditur nga një sërë dokumentesh arkivore sekrete (tashmë prej kohësh të de-klasifikuara) që ndodhen në arkivat e shtetit shqiptar (Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arkivi Ministrisë së Brendshme), të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al, në disa numra të saj.

ARTIKULLI I REVISTËS GJERMANO-PERËNDIMORE “STERN”, NË VITIN 1964, PËR ISH-KREUN E GESTAPOS, HAJNRIH MYLER, QË FSHIHEJ NË SHQIPËRI DHE PUNONTE PËR ENVER HOXHËN

“STERN”

Agjenti i GESTAPOSË, M U LL E R, jeton në Shqipëri

Nga Peter Stahle

Myler, kreu i Gestapos, Obergruppenfurher-SS dhe Gjeneral i Vaffen-SS, Shef i shërbimit të VI (Gestapos) pranë shërbimeve të sigurimit të Rajhut në Berlin, dhe Shef direkt i Adolf Ajhmanit, nuk ka vdekur. Nga viti 1945 e deri në vitin 1955 Myler, jetonte në Moskë ku punonte nën urdhrat e Stalinit, Berias, dhe Malenkovit.

Nga viti 1955 e deri në 1956 ai, ka punuar në Budapest. Tani ai, është në shërbimin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Këto ditë qeveria gjermane, u ndriçua nga Shërbimi i Spiunazhit (Zbulimi) të një vendi të Europës Perëndimore, mbi çështjen e Mylerit.

Ministrat e Bonit, mësuan atë që revista “Stern” botoi sot. Gruaja e Mylerit, djali i tij, si dhe sekretarja e tij e fundit, jetojnë në Mynih. Ata, nuk e dinë se Hajnrih Myler, është gjallë. Me qindra ish – agjentë të Gestapos, janë marrë në pyetje dhe janë dënuar, që nga mbarimi i Luftës.

Adolf Ajhman për t’u mbrojtur, kishte pretenduar se Myleri i kishte dhënë të gjitha urdhrat për kryerjen e mizorive. Hajnrih Myler, ishte njeriu më i fuqishëm në shërbim të sigurimit të Rajhut. Ai dha urdhër deri në 1 maj, që të bëheshin arrestime dhe internime në kampet e përqendrimit, të bëheshin trajtime speciale gjatë marrjeve në pyetje dhe ekzekutimeve.

Rudolf Franz Hoss, komandanti i kampit të shfarosjes në Aushvic, i ekzekutuar nga polakët në 1947, në shënimet e tij ka thënë “Myler ka ekzekutuar me gjakftohtësi të gjitha masat e nevojshme nga Reichfyhrer SS, Himleri, për sigurimin e Rajhut”.

Në tetor të vitit 1963, ndërsa flitej përsëri mbi zhdukjen e Mylerit, gazeta “Suddetutsche Zeitung”, shkruante në lidhje me këtë çështje: “Ish-shefi i Adolf Ajhmanit, ekzekutuar në Izrael, ka rënduar ndërgjegjen e tij, me një numër aq të madh krimesh të tmerrshme, gjatë 12 vjetëve që ishte në shërbim të Rajhut të III, saqë çështja nëse rron apo jo, duhet të trondisë me miliona njerëz.

“Stern” mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Ish shefi i Gestapos 63 vjeç, jeton në Shqipëri, që nga viti 1956. Ai ndodhet nën mbrojtjen speciale të diktatorit Enver Hoxha, në shërbim të të cilit ndodhet sot, ashtu siç i kishte shërbyer me radhë Hitlerit, Himlerit, Hajndrihut, dhe Stalinit. Sot Shqipëria, mike e Kinës së kuqe, përfiton nga lidhjet që Hajnrih Myler, ka me ish – shokët e tij të vjetër SS dhe Gestapos, në botën e jashtme.

Njohuritë e tij, çmohen lart në Tiranë. Tani ai quhet, Abedin Beqir Nakoshiri, dhe ka marrë nënshtetësinë shqiptare. Pas botimit të këtij informacioni, sigurisht do t’i duhet që të ndërrojë identitet. Nakoshiri Myler, është Drejtor i Seksionit të Jashtëm Perëndimor, pranë Shërbimit të Zbulimit Shqiptar.

Midis vendeve perëndimore, Shqipëria dogmatike numëron gjithashtu shtete komuniste, si Jugosllavinë dhe Gjermaninë Lindore. Këto janë fushat e veprimit më të rëndësishme për Mylerin, në kohën e tanishme. Myleri është Kapiten i Sigurimit të Shtetit. Pozita e tij në hierarkinë e Policisë Politike, korrespondon me atë të Gjeneralit.

Nakoshiri-Myler, jeton në kryeqytetin Tiranë, sidomos në lagjen më të madhe dhe të mbyllur hermetike, “Bllok”, ku jetojnë të gjithë funksionarët e lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtarët e qeverisë dhe ushtrisë shqiptare. Një rrugë transversal, që s’ka emër dhe shkëputet nga bulevardi “Shqipëria e Re”, përbën të vetmen hyrje në këtë geto funksionarësh, të ruajtur fuqimisht.

Ndërtesat në shumicën e tyre janë 2-3 katëshe të mbuluara me çati të sheshta ku ndodhen shumë banesa. Myleri jeton vetëm në banesën e tij, rrethuar nga gratuatë të tjerë të lartë të Shërbimit Sekret Shqiptar, por pa miq. Në kohën kur jetonte në Berlin, sekretarja e tij, ishte njëkohësisht dhe mikja e tij.

Meqë banesa dhe vendi i punës së tij, ndodhen në një territor të rrethuar, nga kjo zonë mezi largohet. I vetmi çast zbavitjeje në jetën e Mylerit, është se në verë ai, i kalon pushimet së bashku me udhëheqësit e partisë dhe qeverisë, në Durrës. Ky qytet është porti më i rëndësishëm i vendit, dhe njëkohësisht qendra më e madhe balneare në breg të Adriatikut.

Myleri banon këtu, në një godinë luksoze, i veçuar nga qendra e Tiranës, por në një mënyrë pak më të ekspozuar për pjesën tjetër të popullsisë. Por Hajnrih Myler, ka dëshirë të frekuentojë hotelin luksoz “Adriatik”, ku shijon konjak francez. Ai pëlqen gjithnjë konjakun “Hennessy”. Ishte po kjo markë, që e zbuloi një vit më parë.

Bavarezi Hajnrih Myler, dallohet me një të parë nga shqiptarët vendas. Ai, tani është tullac, ka fytyrë të verdhë, ballë tërë kocka, dhe nofulla të dala. Por kreu i Gestapos Myler, tradhtoi vetveten. Një ditë kur një grup gjermano-lindorësh po rrinin në hotel “Adriatik”, si këshilltarë për projektet detare, Nakoshiri-Myler, filloi të flasë gjermanisht, pasi kishte pirë disa gota me konjak.

Kjo ndodhi në vitin 1962. Midis inxhinierëve gjermano-lindorë, ishte dhe Fritz Breitling (ky quhet ndryshe, por autori për arsye sigurie, nuk mund t’ja publikojë dot emrin). Komunisti i vjetër Breitling, punonte deri në verën e vitit 1963 në Durrës, me urdhër të qeverisë së RDGJ-së.

Ai, e takoi Mylerin shumë herë. Pas shumë bisedash, u sigurua për identitetin e shefit të Gestapos, në saj të pyetje të bëra dhe fjalëve të shumta të Mylerit. Bashkëpuntori i SED Breitlingu, informoi Shërbimin Sekret gjermano-lindor (STASI) mbi zbulimin sensacional. Por STASI, urdhëroi që të mbahej heshtja më absolute. Dhe kishte arsye të forta.

Prej shumë vitesh Myleri, bashkëpunonte me shërbimin sekret të Ulbrihut, kështu që shumë ish – funksionarë të lartë SS, SD, dhe Gestapos, ndodheshin në pozita determinuese (ashtu si edhe në zonën tjetër). ‘Stern’ mund ta thotë njeriun ndërlidhës më me rëndësi të Mylerit, atë e quajnë Karl Valbach dhe është shefi i STASI-t në Magdenburg.

Por emri i tij i vërtetë, është Sanitzer. Është 51 vjeç. Në atë kohë, ish – si Hauptsturmfurher SS dhe shef i Shërbimit të Gestapos në Vjenë. Sanitzer, i cili në vitin 1945 u caktua Sturmbanfurher, është prej shumë kohësh i afër i Mylerit, në shërbimin e të cilit kishte drejtuar prej shumë kohësh seksionin A 2, ashtu si dhe Ajhmani.

Mbas lufte u dënua me burgim të përjetshëm, në zonën sovjetike të Austrisë. U zhduk në vitin 1955 dhe u shfaq përsëri në zonën sovjetike, me një emër tjetër. Vetëm një grup i vogël i SED, ishte në dijeni të ekzistencës dhe aktivitetit të Mylerit të Gestapos.

Myleri ka 18 vjet e 8 muaj, që kërkohet nga miq SS, agjentë të Gestapos, të rehabilituar, shërbimet e fshehta, dhe gazetarë në mbarë botën. Atë e kishin parë ditët e para të majit të vitit 1945. Më 3 maj të vitit 1945, Myleri kaloi së bashku me dy shokë në anën e rusëve, të cilët e morën në shërbim të tyren meqenëse ai dinte shumë për shërbimet e fshehta të Perëndimit.

Shumë supozime mbi zhdukjen e Mylerit, i afroheshin të vërtetës. Valter Shelenberg, shef i SD dhe Brigaddenfurher SS, vdekur në Torino në vitin 1952, në kujtimet e tij flet për një oficer i kthyer, pasi kishte qenë rob lufte te rusët, tregoi se Myleri kish kaluar në anën e rusëve, në vitin 1945.

E kishte parë në Moskë në 1948. Shelenbergu, nuk u çudit për këtë gjë. Dr Vilhelm Hotl, ish – Obersturmbanfurher SS, dhe shef i Shërbimit të Mbrojtjes Juglindore (Ballkanin), flet për një lajm jo të vërtetuar sipas të cilit, ish – funksionarë të Gestapos, qenkan dukur në zonën lindore të Gjermanisë dhe që qenkan stërvitur në Bashkimin Sovjetik, nga Myleri.

Ky doktor Vilhelm Hotl, i cili disa vjet më parë botoi me emrin Valter Hagen në Austri, një libër me titull; “Fronti i Fshehtë”, në të cilin flet për organizata, personalitete, dhe veprime, të shërbimit sekret gjerman, tani drejton një shkollë private, në Bas Aussee.

Por ai ka gjithashtu një punë tjetër. Hotl, punon në shërbimet e Visentalit, shef i Qendrës së Dokumentacionit Hebre në Vjenë. Visentali, i atribuon vetes meritën se ka zbuluar Ajhmanin. Ka arsye që lënë të supozohet se ai, bashkëpunon ngushtë me shërbimin sekret izraelit. Kjo është arsyeja që Vilhelm Hotl, di shumë gjëra për shokët e tij të vjetër, por nuk trazohet.

Simon Visentali deklaroi se; shefi i Gestapos Myler, duhet të ndodhet në Bllokun Lindor. Një gjë është e sigurt, që përpara mbarimit të Luftës, Myleri kishte shfaqur admirimin e tij, për metodat e Stalinit, duke folur për këtë gjë me shokët e tij. Sipas informatave që disponojmë tani, ka të ngjarë që Hajnrih Myleri, kishte siguruar informata që në kohën e nazizmit, gjë që e lejuan të kalonte pa probleme në vitin 1945, në anën e rusëve.

Me gjithë aktivitetin gjakatar në kohën e Rajhut të III-të, Myler nuk ishte konsideruar nga kolegët e tij, si nacional-socialist i vërtetë. Në parti ai kishte hyrë në vitin 1939 dhe besonte vetëm në një gjë: Në pushtetin e policisë të cilin, e konsideronte absolutisht të përsosur (skedar madhështor ku duhet të ishte i regjistruar çdo qytetar gjerman).

Myleri e kishte impresionuar Himlerin në Bavari, për faktin se studionte organizimin dhe aktivitetin e policisë sekrete sovjetike. Më vonë Myleri pranoi, se po përpiqej ta drejtonte Gestapon, sipas modelit sovjetik.

Në kujtimet e tij, Shelenbergu deklaron se Myleri, i kishte thënë në pranverën e vitit 1943, se “S’mund të bëj asgjë, por jam i bindur se Stalini është në rrugë të drejtë. Është shumë më superior se udhëheqësit perëndimorë dhe se ne duhet të shpejtonim, që të binim në ujdi me të”. Në saj të këtyre kontakteve krejt të veçanta, Myler mundi të rregullohej personalisht me Stalinin.

Gestapo e tij, kishte një seksion të ngarkuar që të ndiqte lidhjet telegrafike të agjentëve sovjetikë me qendrën e Moskës, për të zbuluar kështu urdhrat e dhëna nga Moska agjentëve të saj, dhe të çorientonte shërbimin sekret sovjetik, në saj të një përzierje të stërholluar informatash të sakta dhe jo të sakta.

Vetëm në vitin 1944, 300 agjentë sovjetikë u arrestuan dhe u zëvendësuan nga njerëzit e Gestapos. Ishte Dr. Hans Kristian Sholz, miku i Mylerit, që e udhëhiqte këtë aksion. Dr. Vilhelm Hotl, ishte shumë afër të vërtetës, kur bënte supozimet e tij.

Ai mendon se ka shumë mundësi që Myleri, me ndërmjetësinë e bashkëpunëtorëve besnikë, të ketë përdorur një nga këto linja të shumta telegrafike, të seksionit të lartpërmendur, për të hyrë në kontakt me sovjetikët para përmbysjes, që t’ju jepte informata të sakta. Po ne çfarë shohim?! Së bashku me Hajnrih Mylerin, Dr. Sholzi kaloi në anën e sovjetikëve.

Por ai mbeti në Berlin, ku vdiq pas pak kohësh, në maj të vitit 1945. Hajnrih Myler u dërgua në Moskë, ku u mor në pyetje, dhe ndërkaq u kamuflua. Komunistët e vjetër gjermanë, ndërkohë dalëngadalë po ktheheshin në Berlin, nga mërgimi rus, nuk duhet të dinin asgjë për këtë. Vetë Stalini, nuk mund t’i lejonte vetes që të njoftonte menjëherë pas mbarimit të Luftës, se kishte kapur njërin nga 6 kriminelët kryesorë të regjimit nazist.

Nëse duam t’i karakterizojmë kështu Hitlerin, Himlerin, Heindrihun, Kalterbrunerin, Mylerin, dhe Ajhmanin, dhe se donte ta fuste në shërbim të tij. Por pak kohë pas mbarimit të Luftës, Stalini deklaroi se: “Ne kemi në dorë disa gjermanë, për të cilët bota do thoshte fjalën e saj, po ta dinte se për cilët është fjala”. Myler u mor në Shërbimin Sekret, pranë Shërbimit të Lartë të Sigurimit të Shtetit.

Për jashtë, ai s’kishte përgjegjësi të veçantë, por kishte një funksion të veçantë determinues, në reformën dhe strukturën e policisë dhe spiunëve, pranë Ministrisë së Brendshme. Beria, shefi i Policisë Sekrete Sovjetike, ishte i pari dhe shefi më me rëndësi i Mylerit. Pas vdekjes së Stalinit në Mars të vitit 1953, funksionarë të lartë dhe ministra të Moskës, iu vërsulën Berias, pasi ai dinte shumë dhe e likuiduan.

Por aktiviteti i Mylerit nuk u ndërpre, pasi pasuesit e Stalinit, nuk i bënë asnjë të keqe. Myleri, çmohej në cilësinë e tij, si ekspert i policisë. Stacioni i tjetër i mëvonshëm i Mylerit, ishte Budapesti. Është e vërtetë se në Hungari, duhet të zbatoheshin metoda të rrepta policore, por atje nuk kishte sa duhet policë të përsosur.

Në Hungari Myleri, qëndroi vetëm 15 muaj. Filloi kryengritja. Është e vërtetë se popullit nuk ju dha liria, por imituesit më të përsosur të Stalinit, u detyruan të tërhiqen. “Dallga e re falëse” në Hungari, e hodhi Mylerin përfundimisht në Shqipëri, në një nga kështjellat e fundit të stalinizmit.

Mbrojtësi i tij u bë, Kryetari i Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, si Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm, Kryetari i këtij vendi dhe dora e djathtë e udhëheqësit të Partisë, Enver Hoxha. Myleri e kishte njohur Shehun në Hungari. Myleri, u mor në “Shërbimin e Zbulimit” shqiptar.

Me emrin e kapiten Nakoshirit, ai ndodhet nën urdhrat e mbrojtësit të tij. Disa muaj më parë, vetëm disa nga qeveritë e vendeve komuniste, janë informuar mbi faktin se kapiten Nakoshiri, është i njëjti me shefin e Gestapos së regjimit hitlerian, si Jugosllavia, Polonia, dhe Çekosllovakia.

Sidomos drejtësia polake dhe çeke, dëshirojnë me të madhe që të dënohet sa më parë, njeriu që furnizoi me “material njerëzor”, kampet e përqendrimit. Edhe shërbimet sekrete të këtyre vendeve, nuk e kanë parashikuar, dhe nuk e shohin mundësinë, për të nxjerrë legalisht ose ilegalisht Mylerin, nga Shqipëria.

Myleri e ruan veten e tij, ashtu si dikur për sigurimin e tij dhe për sigurimin e kalimeve në kufi. Republika Demokratike Gjermane, e Valter Ulbrihtit, ka marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Si shtet gjerman i njohur nga Lindja, ajo mund të kërkojë dorëzimin e qytetarit gjerman, Hajnrih Myler, që kërkohet për krime.

Krimet e kryera nga Myleri, kalojnë në parashkrim vetëm më 8 maj 1965. Valter Ulbriht, nuk ka pasur kurrë rast më të mirë, për të treguar nëse e ka seriozisht “antifashizmin” e tij. Austria gjithashtu, ka marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Austria gjithashtu mund të kërkojë dorëzimin e Hajnrih Mylerit.

Memorie.al