Pas rihapjes së hetimeve nga SPAK për dosjen “21 janari”, sot është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi.
Një ditë më parë në SPAK kanë dhënë dëshmitë e tyre, bashkëshorja dhe xhaxhai i Aleks Nikës, Rajmonda dhe Mark Nika. Ata dhanë dëshmitë e tyre para prokurorëve të SPAK, si persona që kanë dijeni dhe për të dhënë detaje për hetimin.
Më 16 korrik, SPAK njoftoi se ka regjistruar procedimin penal nr. 138, për veprat penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të kryera në bashkëpunim.
Ky procedim penal është regjistruar për ngjarjen e ndodhur më 21 janar të 2011, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Në njoftimin zyrtar thuhet se, në rastin e “21 janarit” hetimi i veprave penale është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.