Gjatë 11 viteve në qeverisje, jo vetëm kryeministri Rama, por edhe familjarë të tij janë përfshirë në akuza dhe përplasje me politikën.
Olsi Rama, vëllai i kryeministrit nisi një betejë publike dhe më pas juridike me kreun e grupit parlamentar të partisë demokratike, Gazment bardhi pasi ky i fundi e akuzoi atë si të përfshirë në trafikun e drogës në Xibrakë.
Nga selia e partisë demokratike, Bardhi publikoi disa dokumente të prokurorisë, ku përfshirja e Olsi Ramës sipas tij është lënë pa emër por është identifikuar makina që ai përdor.
”Në takimin e datës 13.01.2015 me pothuajse të gjithë anëtarët e grupit kriminal, “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, që ka mbetur i paidentifikuar, ka qenë përdorues i automjetit me targa AA653DM. Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se Olsi Rama është përdorues i kësaj makine”, tha Gazment Bardhi në datë 28.03.2024.
Një ditë pas denoncimit, në një tjetër dalje publike Gazment Bardhi bën me dije se ka dërguar në SPAK kërkesën për nisjen e hetimeve penale ndaj Olsi Ramës.
“Të dhënat e TIMS-it dhe ato që gjendjen në dosjen penale, janë të mjaftueshme për të rihapur hetimin e kokainës së Xibrakës, lidhjet e Olsi Ramës me grupin kriminal dhe përfshirjen ose jo të tij në organizatën e trafikut të kokainës”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në 29 mars 2024.
5 ditë më vonë, në reagimin e tij të parë publik, Olsi Rama ju përgjigj kundërshtarit politik të të vëllait me një padi në SPAK.
“Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës. Fakti që zotëria aspak i nderuar, ka marrë përsipër të më akuzojë si trafikant droge, thjesht dhe vetëm sepse unë jam vëllai i një kundërshtari politik, kërkon përgjigje! Jo thjesht nga unë, po nga drejtësia!”, tha Olsi Rama në datë 02.04.2024.
Gazment Bardhi i cili kishte nisur këtë luftë publike nuk vonoi t’i përgjigjej brenda së njejtës ditës kallëzimit të Olsi Ramës.
“Të mendohesh 5 ditë për të bërë një letër qesharake si kjo e Edi/Olsi Ramës ndaj meje do të thotë se je në hall të madh! Po! Nuk ka dy të vërteta! Ka vetëm një të vërtetë! Nga ana njerëzore, ndiej keqardhje për Olsi Ramën. I vëllai, për të shpëtuar nga përgjegjësia, po e përdor edhe atë si çdo bashkëpunëtor që ka keqpërdorur dhe e ka hedhur më pas prapa hekurave!”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në 02.04.2024.
Në këtë përplasje, pjesë bëhet edhe kryeministri Rama. Ai cilëson gënjeshtra akuzat e Gazment Bardhit ndaj të vëllait dhe refuzon kërkesën për interplancë të kërkuar nga opozitari.
“Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur”, tha në 3 prill 2024 kryeministri Edi Rama.
Pak javë më pas, SPAK rrëzoi padinë e Olsi Ramës për kallëzim të rremë ndaj Gazment Bardhit me argumentin se ky i fundit ka bërë vetëm deklaratë televizive, dhe jo kallëzim në këtë strukturë.
Në këtë moment kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjej sërish Gazment Bardhit.
“Kam bërë kallzim” po kallzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore!”, tha kryeministri Rama në 25 prill 2024.
Më 15 maj, Olsi Rama depozitoi një padi të dytë në SPAK ndaj Gazment Bardhit. Në kallëzim e tij, thuhet se ai i referohet një deklarate të Bardhit bërë publike për median online në lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë dhe përfshirjen e Olsi Ramës.
“Kërkoj regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të zotit Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal”, tha Olsi Rama në 15 maj 2024.
Pas deklaratave dhe kundër deklaratave mes njëri-tjetrit pati një armëpushim i cili jetëgjatësinë e pati më pak se 1 muaj.
Më 28 qershor, Olsi Rama paraqitet fizikisht ne strukturën e posaçme antikorrupsion për të marrë përgjigje mbi kallëzimin që kishte bërë për Gazment Bardhin.
“E kam bërë kallëzimin sepse e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve dhe një gënjeshtër shumë të madhe, prandaj për të dalë e vërteta. Sigurisht që kam udhëtuar më automjetin e një personi që e kam marrë sepse në atë moment atë makinë mund të merrja. Ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti. Unë i kam marrë automjetin një personi në atë kohë për të shkuar dhe për të bërë nje udhëtim dy ditor në Selanik dhe kaq. S’kam lidhje fare me asnjë nga personat që përmendni dhe vetëm një person njoh komplet rastësisht. I kam mohuar gjithmonë sepse nuk ka asgjë të vërtetë”, tha Olsi Rama, vëllai i kryeministrit në datën 28.06.2024.
Ditën kur i vëllai iu paraqit në SPAK, kreu i qeverisë reagoi duke thënë se shpreson që SPAK ta çojë deri në fund këtë çështje.
“Fatmirësisht SPAK-u, megjithatë, e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!”, tha kryeministri Edi Rama.
Përgjigjes së Ramës i erdhi tjetër përgjigje nga Gazment Bardhi.
“Unë nuk do bëjë kallëzimin në formën që don ti dhe yt vëlla, me qëllim rivarrosjen e çështjes që ekziston nga Prokuroria e Hanoverit. Unë kam bërë kallëzim siç e kërkon ligji në këtë fazë ku ndodhet çështja penale, dhe që ka risjell ekzaktësisht atë që unë kam kërkuar: “Rihapjen e dosjes penale 335/1-2016 që prokurori yt personal e kishte varrosur në 2018”, ka thënë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Përplasja Olsi Rama/ Gazment Bardhi nuk ishte e vetmja me të cilën u përballë familja e kryeministrit. Në skenë u rikthye një konflikt i vjetër, me protagonist kryesor Sali Berishën dhe vajzën e bashkëshortes së kryeministrit, Rea Xhillarin.
Kjo cështje ridoli në skenë në momentin kur në aeroportin e rinasit u arrestua dhëndrit i Sali berishës, Jamarbër Malltezi.
Sipas Berishës, Rea Xhillari ka fituar tendera publikë në kundërshtim me ligjin, pasi preket nga konflikti i interesit duke qenë pjesë e familjes së kryeministrit.
“A e di ti se thjeshtër Xhillari ka me dhjetëra tendera të fituara? Ligji barazon thjeshtrën me Gregun”, ka thënë Berisha në datë 21.10.2023.
Për ditë me radhë Berisha vijoi t’i artikulonte në publik akuzat për vajzën e Linda Ramës.
“Si hakmarrje se unë të kam përmendur thjeshtrën ty… edit dhe lindës u them sa merreni me vajzën time këshillojeni vajzën e shtëpisë se kushtetuta nuk e lejon të marrë pjesë në tendera”, ka thënë Berisha në datë 23.10.2023.
“Nuk mund të pranojë Edi Rama dhe Linda Rama hetimin e Reas, sjelljen e vajzës që duket si engjëll, por si shushunjë pi gjakun e shqiptarëve me tenderat që fiton. A mund të ndodhë që fëmija i kryeministrit të kalojë nga tenderi në tender”, ka thënë Berisha në datë 09.11.2023.
“E vërteta është se thjeshtra apo vajza e familjes së Edi Ramës, prej 7 vitesh, ka fituar me dhjetëra e dhjetëra tendera në kundërshtim me Kushtetutën. Dhe thuhet se nuk bën as deklarimin e pasurive në ILDKP. Pra, qëndron mbi ligjin dhe Kushtetutën. Dhe Edi Rama nuk pranon të hetohet”, ka thënë Sali Berisha në datë 18.11.2023.
Për herë të parë, Edi Rama zgjodhi që nga godina e kryeministrit në një konferencë për mediat ti përgjigjej Sali Berishës dhe akuzave të tij ndaj Rea Xhillarit.
“Kurrë. Kurrë. Në asnjë rast, asnjë anëtar i familjes sime, nuk ka përfituar asnjë qindarke nga fondet publike”, është shprehur kryeministri Edi Rama.
Pavarësisht përgjigjes së Ramës, Berisha vijojë të denonconte në të njejtë linjë.
“Dokumenta zyrtare faktojnë se thjeshtra e parë e republikës ka përfituar në mënyrë të përsëritur nëpërmjet jo një, por disa kompanive në tenderat publike. 51N4E, një studio belge në të cilën është e punësuae, ka qenë se ka histori tani mbrapa, Rea Xhillari”, është shprehur kreu i PD, Sali Berisha në datë 27.01.2023.
Sali Berisha nuk u mjaftua vetëm me akuzat publike, nga arresti i shtëpisë ku ndodhet prej 30 dhjetorit të 2023-it së bashku me 6 deputetë të tjerë të Partisë Demokratike iu drejtua zyrtarisht kuvendit më 10 qershor ku kërkuan një interplancë urgjente me kryeministrin Rama.
“Shtetasja Xhillari ka përfituar nëpërmjet subjektit tregtar 51N4E, e cila rezulton të jetë një studio projektimi dhe konsulence me qendër në Bruksel dhe Tiranë. Ka përfituar 33 pagesa për kontrata publike në vlerën 1.9 miliard lekë”, thuhej në kërkesën e PD për interpelancë me Ramën.
Kjo kërkesë për interpleancë në kuvend vuri në lëvizje Rea Xhillarin për t’ju drejuar gjykatës së tiranës. Në padi ishin përfshirë Sali Berisha dhe 6 deputetët që firmosën kërkesën për interpleancë me objekt cenimin e personalitetit dhe reputacionit nga përhapja e thënieve të pavërteta me natyrë shpifëse.
“Këto deklarime të rreme dhe tejet të rënda nga ana e të paditurve në drejtimin tim, janë një ndërhyrje kriminale në jetën time dhe i shërbejnë qëllimit të denigrimit pa asnjë provë të personit tim. Ato bëhen për të krijuar në publik imazhin e një personi përfitues nga afërsia familjare me kundërshtarin e tyre politik, përmes veprimtarish të cilat nëse do të ishin të vërteta, do të ishin objekt për organet e ndjekjes penale”, tha Rea Xhillari, vajza e Linda Ramës.
Po a është kjo një gjë të cilën ne nuk e kemi parë më parë në politikë?
“Të tilla janë inciuar shumë këto 8 viteve të fundit që zoti rama ka qenë kryeministër, nuk është hera e parë. Padi të tilla janë bërë nga deputetë të PS, nga ministra të PS, vet zoti Rama ka bërë. Nuk është ndonjë risi që zonja Xhillari ka bërë një padi të tillë”, tha juristi Ledio Braho./EURONEWS ALBANIA