Një debat i fortë është përhapur në Kosovë në lidhje me dyshimet se televizioni kombëtar i Kosovës RTK është financuar nga Serbia, pas disa lajmeve që publikoi Nacionale dhe Periskopi. Debati vijon ende dhe ajo që ka rënë në sy në opinionin publik është polemika që ka nisur me prezantuesin e njohur shqiptar Adi Krasta i cili mban postin e zv/Drejtorit të RTK-së me anëtarët e bordit dhe disa analistë.
Krasta prej kohësh në Shqipëri njihet si një zë i fortë dhe kritikë ndaj pushtetit duke fituar mjaft viralitet në rrjetet sociale me monologjet e tij përtej censurës.
A është kjo një kontradiktë dhe një hipokrizi e tij që ndryshe thotë në Shqipëri dhe ndryshe bën në Kosovë?
I pari që njoftoi dorëheqjen ishte kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, i cili ka dhënë dhe arsyet e vendimit të tij, që lidhen me publikimin e një lajmi të paverifikuar në televizionin publik, se dy media të Kosovës, Nacionale dhe Periskopi, financoheshin nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Boletini, në njoftimin e tij për dorëheqje, ka hedhur akuza edhe ndaj zëvendësdrejtorit të RTK-së, Adi Krasta, që sipas tij nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura për këtë çështje.
“Sot gjatë mbledhjes së bordit, kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të RTK-së. Përpjekjet për të adresuar skandalin e publikimit të një artikulli të paverifikuar, gjatë këtyre javëve ishin të përditshme dhe të vazhdueshme, përkundër vështirësive”.
“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, ka thënë mes tjerash, Boletini.
Ndërkohë pas Boletinit, nga RTK ka dhënë dorëheqjen dhe anëtarja tjetër e bordit Arta Berisha. “Për mua ka qenë përgjegjësi e madhe dhe nder të jap kontributin tim profesional në përpjekjen që transmetuesin publik ta avancojmë drejt një shtëpie informative në shërbim të së vërtetës, edukimit dhe emancipimit shoqëror”, ka thënë Berisha në reagimin e saj.
Më tej në reagimin e saj të gjatë, Berisha thotë se është mbështetëse e standardeve profesionale në gazetari, të cilat thotë se “i kam respektuar maksimalisht qoftë si gazetare aktive, qoftë si anëtare e Bordit të RTK-së”, për të “ka qenë e paparanueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së”.
“Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme”.
Në fund, ajo theksoi se shpreson se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK.
Krasta akuzohet Adi Krastën, se nuk ka marrë masat e duhura, për të shkarkuar autorët e lajmit të paverifikuar, por nga ana e tij deri tani ka vetëm heshtje./Lexo.al