Ylli i kinematografisë botërore, aktori francez Alain Delon ka vdekur në moshën 88-vjeçare, njoftuan tre fëmijët e tij sot. Delon, një nga fytyrat më të njohura të kinematografisë botërore prej disa kohësh vuante nga kanceri.
“Alain Fabien, Anouchka, Anthony, si dhe (qeni i tij) Loubo, njoftojnë me pikëllim të pamasë ndarjen nga jeta të babait të tyre. Ai vdiq i qetë në shtëpinë e tij në Douchy, i rrethuar nga tre fëmijët e tij dhe familja e tij (. ..) Familja e tij kërkon me mirësi që të respektoni privatësinë e tij në këtë kohë zie jashtëzakonisht të dhimbshme”, thuhet në njoftim.
Delon ka punuar me regjisorët më të mëdhenj dhe ka luajtur role që janë bërë legjendare në më shumë se 90 filma. Nga roli i tij i rëndësishëm në “Purple Noon” deri tek interpretimet e tij në filma si “Le Samouraï” dhe “Rocco and His Brothers”, Delon ka lënë një gjurmë të thella në kinematografi.
Ndërsa në prapaskenë, Delon ka bërë një jetë shpeshherë të diskutueshme. Nga marrëdhëniet e tij me disa nga gratë më të dëshirueshme në botë e deri te përfshirja e tij në qarqet politike, jeta e tij ishte e ngjashme me personazhet që ai ka vënë në skenë.