Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim ish-banoren e BBVA, Antonela Berishën dhe motrën e saj Marielën, pasi kanë masakruar me shishe qelqi në fytyrë një 24-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur në një nga lokalet e kryeqytetit. Dyshja e motrave 28-vjeçare akuzohen për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe po punojnë për lokalizimin e shtetaseve A. B., 28 vjeçe, dhe M. B., 28 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal.
Këty dy shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në ambientet e një lokali në Tiranë, dyshohet se kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., 24 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë.
Ngjarja u raportua mbrëmjen e djeshme përmes një postimi në Instagram nga vetë viktima e sulmit Klea Prenga. Ajo ka ndarë disa pamje të rënda nga një sulm i papritur teksa ajo po darkonte në një restorant. Prenga thotë se dikush e goditi nga pas dhe i theu gotën në fytyrë. Pas sulmit vajza ka marrë një mesazh në telefon ku thuhej se sulmin e kishte dhuratë nga Mariela Berisha, motra e Antonela Berishës. Dyshohet se sulmi ka ndodhur pasi Prenga ka hyrë në familjen e motrës së Antonelës.
“Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju që ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyet në mes.” shkruan Prenga. Më tej Klea thotë se regjistrimet e kamerave janë në dorën e autoriteteve dhe se do të publikohen së shpejti. Gjithashtu ajo bën me dije se Policia po heton çështjen.