Nga Dritan Hila/
U marrofsh dhe e tregofsh, është një fjalë e urtë. Dhe nesër votohet nëse Himara do t’i kalojë Gjikurisë duke mbyllur kështu hapin e parë drejt unifikimit të brezit Himarë-Finiq-Dropull, dhe krijuar kështu brezin e fazës së parë të Asocacionit të Fshatrave Greke e më vonë autonominë e tyre si fazë përfundimtare drejt bashkimit me Greqinë. E kanë thënë hapur përfaqësuesit e OMONIA-a, Beleri, Marko e me radhë.
Ndërkohë ka një sens për ta lehtësuar këtë akt nga ana e opozitës shqiptare të përfaqësuar nga Berisha dhe Meta. Kanë çuar njerëzit e tyre të takojnë përfaqësues ekstremistë të së djathtës greke; kanë takuar Belerin në burg; përpiqen të bëjnë humor bajat me shqetësimin sikur kjo është një fantazi e patriotëve shqiptarë të mykur, ndërkohë që agjenda greke ecën e pandalur.
Opozita shqiptare përpiqet të relativizojë tradhtinë e saj. E ka bërë këtë me justifikime edhe në të shkuarën në Luftën e Dytë Botërore kur dorëzonte kurorën e mbretit Zog në Romë; kur priste krahëhapur pushtuesit italianë; kur justifikonte qeverinë kuislinge të gjermanëve me “Shqipërinë e Madhe”; kur justifikonte paktet për bashkim të Ballit Kombëtar me Napoleon Zervën; kur më pas demonizonte luftën nacional çlirimtare; në postkomunizëm kur i ka vënë kazmën gjithë trashëgimisë industriale dhe bujqësore, dhe sot kur zbardh dhëmbët ndërsa i është dorëzuar një projekti që quhet Megalidhe të gatuar këtu e 100 vite më parë nga një kryeministër grek i quajtur Jani Koleti, i cili kur u zu duke vjedhur, shpiku këtë teori të nacionalizmit ekstrem. Ndryshon nga kryeministrat tanë që kur zihen duke vjedhur i dorëzohen grekut ose serbit.
Le të mos fshihemi pas gishtit: Nesër është një betejë nacionaliste të cilën vendasit nuk e justifikojnë dot votën për pasardhësin e Belerit me argumentin se nuk kanë marrë dokumentet e pronësisë. Atë dokument nuk e kanë marrë në Malesi të Madhe, por nuk kanë kërkuar ndihmën e Serbisë; nuk e kanë marrë as në Lezhë apo Mirditë, por nuk kanë kërkuar ndihmën e Italisë dhe nuk kanë ndërruar kombësinë. Bregasit dhe labët, duhet ta dinë se nesër ndalojmë projektin grek të Asocasionit të Komunave Greke në jug, projekt i Dules, Belerit e Gjikurisë që tashmë nuk e fshehin përkatësinë në organizata që kërkojnë copëtimin e Shqipërisë dhe i trajton shqiptarët si të ardhur nga Kaukazi. Neser nuk është një betejë mes PS-së dhe opozitës, por mes Shqipërisë dhe bukëshkalëve që e shesin këtë vend për një karrige. Edi Rama sot është e nesër apo pasnesër nuk do jetë, por votimi i nesërm do të jetë një pikë referimi nëse Bregu dhe Labëria e thellë do mbeten shqiptare apo do fillojnë shthurjen e shtetit shqiptar dhe fitoren me votë të pasardhësve të andartëve të Spiro Milos që nuk e fituan dot me pushkë dhe kanë gjetur strehë tek opozita shqiptare./dritare.net