Nga Edi Rama
Fatosi më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty, në zyrën e tij, edhe gruan e vet fisnike Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht të mbaja sa të mundesha një sy të hapur vëmendjeje ndaj saj”, – rrefen z.Rama.
“….mua, armikun e shpallur të Saliut qysh në dekikat e para të krijimit të Partisë Demokratike dhe mikun armik të Fatosit qysh nga dita inaugurale e katharsisit, kur u tregoi para kamerave fshatarëve të mbledhur në një pijetore në Pezë sesi më kishte gjetur rrugëve në Francë, refugjat thonjpaprerë, që merresha me kontrabandim ikonash, ndërkohë që ishim takuar në fakt për herë të parë në zyrën e tij në ditët e rikthimit tim disaditor në Tiranë nga Parisi pas shumë kohësh, vetëm pak muaj pas rikthimit të tij në atë zyrë me fitoren e qershorit 1997.
Ruaja një mbresë të shkëlqyer nga nata e asaj fitoreje, kur rastësia e solli që edhe të flisnim për herë të parë me njëri-tjetrin. Atë mbrëmje isha në shtëpinë e Bashkim Shehut në Barcelonë, mik i mirë me të cilin shihemi rrallë, po është përherë kënaqësi e posaçme të bisedosh (…)
Ndiqnim rezultatet me telefon kur, në një nga bisedat me Avokatin, më kaloi “Mjekrën”, siç e quanim mes nesh Fatos Nanon, që pasi e urova për fitoren, më çuditi me përgjigjen: “Është rasti të të uroj edhe unë ty, sepse kjo është fitorja ime sa ç’është jotja, pres të shihemi shpejt!” Më çuditi, sepse ishte ngrohtësisht miqësor, a thua se njiheshim që gjithmonë dhe kishte përulësinë e sojit më të mirë të njerëzve të suksesshëm, që famën apo fuqinë e përçojnë si gjerësi shpirtërore, cilësi që më vonë vajti duke iu tretur paralelisht me humbjen e sigurisë, sidomos pas katastrofës së 14 shtatorit të një viti më vonë. Në zyrën e tij më çoi një tjetër soj i veçantë njeriu, i ndjeri Gramoz Pashko, rebeli mondan dhe eklektik i Lëvizjes së Dhjetorit ’90, që kishte dalë nga paraskena politike dhe ndihmonte pas kuintave si këshilltar kryeministrin që rrëzoi në vitin ’91, për të ringritur Shqipërinë e rrëzuar nën gërmadhat e piramidave që la mbas vetes në ’97-ën binjaku komunist e bajraktar i Pashkos në krye të asaj lëvizjeje.
Fatosi më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty, në zyrën e tij, edhe gruan e vet fisnike Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht të mbaja sa të mundesha një sy të hapur vëmendjeje ndaj saj.
Jemi takuar më mbrapa edhe në Paris, kur erdhi në krye të delegacionit qeveritar. Drekuam në një restorant të bukur pranë Operës së Bastijës, ku vazhdoi të mundohej të më bindte pse duhej të kthehesha në Tiranë, ma kishte thënë disa herë në formë sfiduese, për t’iu bërë krah atij që ndihej “i vetmuar si në burg në lartësinë morale dhe intelektuale nga e qeveriste Shqipërinë, i rrethuar me pleshta e parazitë që meritonin t’ua mbyllte çadrën e t’i linte të kalbeshin në shi”, pa munguar të më falënderonte, siç nuk harroi ta bënte në asnjë nga kontaktet tona telefonike për herët që e ftoja, në fakt me shumë kënaqësi, Edën, vajzën e tyre vërtet të mrekullueshme, për darka me miq në shtëpi a ndonjë festë sallonesh pariziene.
E nëse im atë s’do të më kishte sjellë befasisht në prill të vitit 1998 për funeralin e vet në Tiranë, duke më futur në një dëshpërim hutues dhe kallur në shpirt një ndjenjë brejtëse faji për jetën arratiske, që më shtynë të pranoja dorashkën e Fatosit, i cili, rastësia deshi të ishte duke riformatuar qeverinë pikërisht në të thyer të atij prilli, – s’kishte as edhe një gjasë që unë t’i përgjigjesha apelit të përsëritur të kryeministrit të vendit për të lënë botën e artit dhe qytetin me të cilin isha dashuruar asokohe i gjithi e për të hyrë në arenën ku jam sot e gjithë ditën.
Po katharsisi nëpër pijetoret e Shqipërisë kishte nevojë për meze që të shoqëronin “betejën parimore” teksa ngriheshin dollitë për shëndetin e atdheut në rrezik dhe spektatorët e asaj kacafytjeje donin mish të cilësisë së pare jo llafe, kështu që s’pyeste më konti i kthyer me thikë në gojë se kë therte publikisht ndër “miqtë” për ta bërë joshës, al sangue, ushqimin që i hidhte turmës.
Për Saliun e gjitha ishte një dhuratë nga qielli, një punë e pistë e bërë me duart e kundërshtarit për të shkatërruar në fund fare vetë kundërshtarin, siç edhe ndodhi në të vërtetë më tutje. Ndërsa për Fatosin katharsisi ishte fundi i fillimit aq premtues të orëve të veta më të mira dhe fillimi i fundit të shkëlqimit të vet si pjella fenomenale e një partie të vjetër e të madhe shqiptare, së cilës, ca falë fatit të mirë e pastaj të keq personal, ca prej konstitucionit moral të vetë asaj dhe ca sepse ishte i zoti të fliste e të bënte gjëra që askush tjetër s’i bënte dot si ai në tërë ato vite të rëndëngarkuara, i dha me lidershipin e tij Partisë Socialiste fuqinë për të rilindur si force e shpresës, siç i dha më votë edhe dërrmën për të lënguar. Saliut i interesonte zhvillimi i planit të kontit tanimë kryeministër, kurse për Fatosin e kthyer në një limokondor gojëfarmak, tjetërsuar thellë nga rrethana që ia shuan dritën e brendshme e ia nxorën mbi sipërfaqe të gjitha dobësitë degraduese, rikthimi i dytë në krye të qeverisë kishte thjesht trajtën e të shijuarit të pushtetit jo më si fuqi afirmimi të unit përmes ndryshimit të vendit e jetëve të njerëzve, po vetëm afirmim të fuqisë së ushtruar drejtpërdrejt mbi njerëzit, sidomos njerëzit që udhëhiqte, ndaj të cilëve ndihej shpesh si një diell fatkeq që u kishte dhënë gjithçka, jetë, dritë, punë “ca qenieve që nuk e meritonin atë mbi krye” ose pse ishin thjesht “legenë” për të mos thënë një fjalë tjetër që e kishte në majë të gjuhës në radhë të parë për puthadorët e tij ose pse ishin “mosmirënjohës të pakorrigjueshëm”. Tek këta të dytët, “mosmirënjohësit”, isha edhe unë, madje në krye të listës…”