Në një kohë që Kuvendi i lë detyra Autoritetit të Dosjeve, janë po vetë deputetët që kanë arkivuar nismat për dekomunistizimin e politikës. Nismat ligjore të cilat një vit më parë pushtuan debatin politik në vend u harruan duke i kaluar për miratim në Parlament.
Pastrimi i politikës nga bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit u kthye në kryefjalë të debatit politik një vit më parë. Tre grupimet politike brenda Kuvendit, socialistët dhe dy rrymat e PD-së, depozituan në Kuvend projektligjet e tyre për dekomunistizimin duke e vendosur këtë çështje në krye të axhendës politike. Por, si shumica e vrulleve parlamentare, edhe kjo mbeti në vend numëro.
Politika mori hov pas një shkrese të Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit në 25 korrik të vitit 2023, ku pretendonte se kishte gjetur në arkivën e ish-Sigurimit të Shtetit dokumente që lidheshin me shtetasin I.M., duke e identifikuar si Ilir Meta. Kjo ishte e mjaftueshme që të gjitha grupimet të propozonin nisma kundër ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit, ndërsa vërtetësia e pretendimit të Autoritetit të Dosjeve nuk u provua asnjëherë, pasi çështja e shtetasit I.M. vijon të jetë në gjykatë.
Dhe për të pastruar politikën nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit duhet parandaluar kandidimi i tyre, gjë e cila bëhet duke amenduar Kodin Zgjedhor. Edhe për këtë çështje, socialistët kanë depozituar prej më shumë se një viti nismën e tyre, e cila mbeti sërish në sirtarët e Kuvendit duke mos u bërë pjesë e paketës së ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
Tashmë është në dorë të politikës nëse çështjen e dekomunistizimit do ta rikthejë në programin e punës së Kuvendit në shtator, apo do të pluhurosen në raftet e Kuvendit, si një debat i krijuar thjesht për konsum politik nisur nga rrethanat politike të kohës kur nisi. /A2 CNN