Banka e Shqipërisë ka reaguar me një deklaratë zyrtare, pas Presidenti i Republikës Bajram Begaj publikoi një ditë më parë një letër të drejtuar Kuvendit të Shqipërisë lidhur me skandalin me mikrokreditë.
Në reagimin e saj Banka e Shqipërisë thotë se ka përmbushur misionin e saj kushtetues me qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar në vend.
“Pra, Banka e Shqipërisë, në asnjë rast, as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme. Nga ana tjetër, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB”, njoftoi BSH.
kredisë; heqjen e tarifës së marrjes së raportit të kredimarrësit nga Regjistri i Kredive që administrohet nga Banka e Shqipërisë për konsumatorët kredimarrës; etj.
Ndërkohë, po punohet me asistencën e Bankës Botërore, mbi rishikimin e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, duke pasur veçanërisht në fokus mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka vijuar të shqyrtojë dhe asistojë me seriozitet çdo ankesë në drejtim të subjekteve të mbikëqyrura prej saj. Ajo çka ka dominuar gjatë këtij procesi, është fakti se numri më i madh i ankimimeve të mbërritura në Bankën e Shqipërisë nga klientët e këtyre shoqërive lidhet me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm. Ky fakt konfirmohet edhe sot, kur një grup pune i dedikuar brenda Bankës se Shqipërisë po trajton ankesat e kredimarrësve të institucioneve financiare, të cilave tashmë u është revokuar licenca.
Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin/pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i është njohur vetëm gjykatës kompetente. Autoriteti ligjor i Bankës së Shqipërisë përfundon në momentin që është marrë një vendim i gjykatës dhe është lëshuar urdhri i ekzekutimit për të rikuperuar kredinë e pashlyer. Çdo proces përtej këtij momenti (ankandet, vendosja e sekuestrove apo çdo veprim tjetër procedural i ndërmarrë nga shoqëria përmbarimore) është jashtë kompetencave ligjore të Bankës së Shqipërisë dhe nuk mund të ndiqet apo rregullohet prej saj. Gjejmë rastin të ritheksojmë se kontratat e kredive dhe marrëdhëniet apo mosmarrëveshjet mes kreditorëve dhe klientëve janë subjekt ekskluziv i Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile që prevalojnë mbi çdo ligj apo rregullore të Bankës së Shqipërisë dhe si të tilla janë objekt ekskluziv i organeve të drejtësisë.
Po ashtu, veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qofshin këto të organizuara si shërbim shtetëror apo privat, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Si rrjedhojë, veprimtaria e shërbimit përmbarimor nuk është objekt kontrolli i Bankës së Shqipërisë dhe Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë.
Thënë sa më sipër, dëshirojmë të sigurojmë publikun dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë se Banka e Shqipërisë, në përmbushje të detyrave të saj ligjore, ka ushtruar pandërprerë, me përpikmëri, profesionalizëm, integritet dhe fokus mbrojtjen e konsumatorit, të gjitha funksionet e saj mbikëqyrëse e rregullatore, brenda të gjitha hapësirave atribuuar asaj nga ligjet në fuqi. Funksioni i Bankës së Shqipërisë është të mbikëqyrë dhe rregullojë atë pjesë të tregut financiar brenda tagrave që i njeh ligji, si dhe të adresojë fenomenet e padëshiruara me zgjidhje gjithëpërfshirëse në nivel sistemik, duke gjetur ekuilibrat më të mirë të mundshëm midis ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë ka qenë e vëmendshme ndaj problematikave që kanë shoqëruar edhe këtë pjesë të procesit, pavarësisht se përtej juridiksionit të saj. Në funksion të zgjidhjes së tyre, Banka e Shqipërisë vijon të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë si dhe i ka trajtuar në vazhdimësi këto çështje në të gjitha komunikimet me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve, si dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.