Menaxheri i reperit të njohur Stresi, Ardian Prenaj ka thyer heshtjen lidhur me arrestimin e Noizyt dhe shpalljen në kërkim të Stresit. Sipas Prenaj, Stresi ndodhet aktualisht në Shqipëri dhe askush nuk e di vendndodhjen e saktë të tij.
Menaxheri dha versionin e tij të historisë duke thënë se personi i parë i cili sulmoi Medi Isenin kishte probleme personale me të. Ai bën me dije se personi i cili nisi sherrin ishte një nga njerëzit e Noizyt, dhe arsyeja e konfliktit ishin çështjet personale.
“Jemi përshëndetur krejt normal me Medin dhe kemi folur siç i ka hije. Dhe kur kanë zbrit njerëzit e Noizyt, njëri prej tyre ka pasur problem personal me Medin, nuk e kanë sulmuar as për Noizyn as për Stresin. Stresi ka zgjat dorën dhe i ka thënë “mos, mos.” u shpreh Prenaj.
Menaxheri i reperit bëri me dije se Stresi për momentin nuk ka ndërmend të dorëzohet pasi po pret që të qetësohet situata. Lidhur me arrestimin e Noizyt, Prenaj thotë se uron që ai të lirohet dhe se është i pafajshëm.
“Ata janë akuzuar pa fakte, nuk ka asnjë fakt! Nuk e kuptoj pse Noizy ndodhet i arrestuar. Në asnjë video nuk shihet që Noizy apo Stresi sulmojnë Medin.” shprehet menaxheri. “Do të presim çfarë të vendosë prokuroria. Do të marrim pak frymë dhe është bërë gjithë kjo turbullirë shumë e madhe, që nuk ka pasur nevojë.”