Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale disa momente të bukura nga Gjiri i Gramës, të cilin e cilësoi “një prej plazheve perla të rivierës sonë”.
Gjiri i Gramës në Gadishullin e Karaburunit, vetëm 25 km larg qytetit të Vlorës është një nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.
Ai gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit në rrethin e Vlorës.
Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza, ku ka dhe disa shpella nënujore.
Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.
Gjithashtu ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.
Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.
Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si shpella e shkrimeve. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave.