Tre të rinj serbë janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut mëngjesin e sotëm dhe çështja ka marrë menjëherë vëmendjen e Beogradit zyrtar. I pari që ka reaguar është kryeministri Millosh Vuçeviç, i cili pretendon se të rinjtë janë dhunuar nga policia e Kosovës.
Vuçeviç teksa ishte i ftuar në TV Prva tha se është informuar nga Petar Petkoviç për situatën dhe se tre të rinjtë e kombësisë serbe, janë nxjerrë zvarrë nga një ndërtesë e janë rrahur, ndërsa një i katërt është arrestuar pasi ka regjistruar skenën në telefonin e tij.
Sipas kryeministrit serb njëri nga të rinjtë është arrestuar sepse dyshohet se është identifikuar si pjesëmarrës në protestën serbe të vitit të kaluar në Zveçan. Vuçeviç i cilëson arrestimet si hetime inkuizitore dhe akuzon qeverinë e Kosovës se vazhdon të bëjë presion ndaj serbëve çdo ditë.
“Fatkeqësisht, presioni mbi serbët, represioni i përditshëm ndaj popullit tonë vazhdon. Mjedisi është se ata nuk mund të qëndrojnë atje dhe të mbijetojnë. Një gjë shumë e vështirë. Na pret një situatë e vështirë, shumë telashe për Kosovën”, deklaroi ai.
Kryeministri serb u kujdes në fund që të akuzonte drejtpërdrejt Albin Kurtin për një tentativë për ta tërhequr Beogradin në një konflikt të armatosur.
“Ju shihni dikë që ngacmon njerëzit tuaj çdo ditë. Dhe këtë ai po e bën për dy arsye, së pari, për të spastruar etnikisht Kosovën, e më pas për ta tërhequr Serbinë në konflikt. Kurti ka nevojë për konflikt dhe përshkallëzim të mëtejshëm.
Kurti ka nevojë për një reagim nga ana jonë që do të çonte në një konfrontim, sepse pastaj del viktimë, sepse pastaj merr narrativën që i duhet për zgjedhjet në Kosovë dhe para bashkësisë ndërkombëtare.
Për çfarë tjetër flet, për autostrada, për hekurudhat e shpejta, për rritje të pagave dhe pensioneve? Ai ka vetëm një agjendë, sulmin ndaj serbëve”, u shpreh Vuçeviç.