Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka diskutuar për zhvillimet e fundit dhe dialogun Kosovë-Serbi me të dërguarin e ri të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Takimi i parë mes Osmanit dhe zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Kasanof, u zhvillua në Pragë, ku të dy zyrtarët po marrin pjesë në konferencën e sigurisë, Globsec.
“Diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi”, shkroi Osmani në Facebook.
Takimi mes Osmanit dhe zyrtarit të lartë amerikan u zhvillua një ditë pasi SHBA-ja kritikoi ashpër një aksion të autoriteteve të Kosovës në veri, kur u mbyllën pesë institucione paralele serbe. Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha më 30 gusht se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës pasqyrojnë përkeqësimin e partneritetit mes Uashingtonit dhe Prishtinës.
Osmani në një prononcim për Radion Evropa e Lirë deklaroi më 31 korrik se veprimet për shtrirjen e sovranitetin janë legjitime, por sipas saj, suksesi varet nga bashkëpunimi me aleatët.
SHBA-ja, por edhe partnerë të tjerë të Kosovës, së fundi po ashtu kanë kundërshtuar mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës. Por, po ashtu ata kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen për qarkullim të automjeteve të urës kryesore mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Ndryshe, Kasanof mori postin e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor më 19 korrik të këtij viti. Atëbotë, nga Departamenti amerikan i Shtetit deklaruan për Radion Evropa e Lirë se Kasanof do të mbikëqyrë politikën amerikane për këtë rajon, e cila ka në thelb mbështetjen e tij në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucionet euroatlantike.
Paraprakisht, postin e emisarit të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor e kishte mbajtur Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj./REL