Më 1 gusht, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që i hapi rrugën rritjes së pagave për punonjësit e Bashkive në të gjithë vendin.
Me këtë vendim, prej 1 shtatorit, hyri në fuqi rritja e pagave në të gjitha bashkitë e vendit për kryebashkiakët, nënkryetarët, drejtorët dhe punonjësit e tjerë të pushtetit vendor.
Rritja e cila mbulohet nga buxheti i shtetit varion nga 30-40 % për secilin pozicion.
Kjo reformë sipas qeverisë nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e pagave, por edhe me ristrukturimin e bashkive dhe stafeve të tyre.
Reforma e rritjes së pagave për pushtetin vendor do të prekë të gjitha bashkitë, por më së shumti do të përfitojnë bashkitë e vogla dhe të mesme.
Sipas ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prej 1 shtatorit, paga minimale nga 32 mijë lekë do të shkojë në 70 mijë lekë.
Por si ndryshon niveli i pagave në bazë të numrit të popullsisë?
Konkretisht, për Bashkinë Tiranë kufiri minmal i pagës së kryetarit është 268 mijë lekë/ muaj dhe ai maksimal 318 mijë lekë në muaj. Për nënkryetarët e kësaj bashkie, kufiri maksimal arrin në 270 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me mbi 200 mijë banorë, paga për kryetarin varion nga 255 mijë lekë deri në 290 mijë lekë në muaj, ndërsa për nënkryetarin arrin deri në 255 mijë lekë në muaj.
Për bashkitë me një numër popullsie nga 50 mijë deri në 200 mijë banorë, paga për kryetarin arrin deri në 260 mijë lekë në muaj dhe nënkryetarin 205 mijë lekë në muaj.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore me numër popullsie deri në 50 mijë banorë, paga maksimale prek nivelin e 240 mijë lekë në muaj për kryetarin dhe 185 mijë lekë për nënkryetarin.
Ndërsa sa i takon Këshillit të Qarkut, paga për kryetarin arrin në 260 mijë lekë në muaj dhe për nënkryetarin 205 mijë lekë/muaj. Rritje të konsiderueshme kanë pësuar edhe pagat e drejtorëve në pushtetin vendor të cilat janë barazuar me një drejtor në ministri.
Po ashtu është përafruar niveli i pagave për pozicion për nënpunëist civilë në të gjitha bashkitë në vend, duke reduktuar hendekun që ekzistonte më parë për shkak të numrit të popullësisë që kanë bashkitë.
Konkretisht pagat e specialistëve në të gjitha bashkitë fillojnë nga 40-80 mijë lekë/muaj. Në bashkitë e mëdha, për nivelin përgjegjës sektori arrijnë deri në 105 mijë lekë në muaj, për nivelin drejtor drejtorie arrijnë në 141 mijë lekë/muaj, drejtorët e përgjithshëm marrin deri në 170 mijë lekë në muaj dhe sekretari i përgjithshëm 205 mijë lekë në muaj.
Fatura vjetore e rritjes së pagave në pushtetin vendor është 3 miliardë lekë dhe do mbulohet nga buxheti i shtetit. Për pjesën mbi këtë nivel do të jenë vetë bashkitë që do ta mbulojnë.