Shqipëria vijon nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm, ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominante por në sasi të pakta. Herë pas here priten intervale me kthjellime, ku më të theksuara do të paraqiten në bregdet dhe pjesërisht zonat e ulëta.

Parashikohet orët e vona të mbrëmjes të sjellin grumbullim të vranësirave në të gjithë territorin duke gjeneruar shira me intensitet mesatar dhe deri intensivë në zonat veriore dhe veriperëndimore duke sjellë përmbytje në këto rajone.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 10°C vlera më e ulët deri në 30°C vlera më e lartë e cila pritet në qarqet Berat dhe Elbasan.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 55 km/h nga drejtimi jugor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 4 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare gjatë orëve të paradites, por pas mesditës dhe në vijim vranësirat do të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin e Kosovës, ku priten rrebeshe shiu. Nuk përjashtohet edhe mundësia e breshërit. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin shtim të intensitetit të shirave në të gjithë Kosovën, temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 9°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 26°C vlera më e lartë në qytetin e Gjakovës. Era do të fryjë e lehtë paradite, por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 55 km/h nga drejtimi jugor.

Maqedonia e Veriut

Deri në mesditë, Republika e MV përgjatë gjithë 24-orëshit do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të shpeshta, por orët e pasdites do të sjellin shtim të vranësirave, ku herë pas here do të pësojnë zhvillim duke gjeneruar rrebeshe të përkohshme shiu. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës shirat të jenë me intensitet të lartë temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 9°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 27°C vlera maksimale e cila do të shënohet sërisht në Shkup. Ndërkohë era do të paraqitet mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë mbi 50 km/h nga drejtimi permanent jugor.

Europa

Një qendër e fuqishme ciklonare e zhvilluar prej disa ditësh në veri – verilindje me ndikim deri në qendër të Europës do të sjellë vranësira dhe reshje të dendura shiu në Europën veriore si edhe Europën Lindore. Po ashtu rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere do të përjetojnë Alpet Europiane si edhe zonat përreth tyre ndërsa nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të pakta do të paraqitet gadishulli Iberik, Ishujt Britanikë si edhe gadishulli Peloponez.