Ky është Suhodolli, fshati shqiptar në veri të Ibrit. Ky fshat është bërë temë e diskutimit të Brukselit për shkak të kërkesës së Serbisë që ky fshat të përfshihet në territorin e Mitrovicës së Veriut. Aktualisht ky territor llogaritet si pjesë e komunës Jugore me shumicë shqiptare.
Suhodolli është fshat i qetë, flamujt kombëtarë shqiptarë të vendosura nëpër shtëpi në veriun e mbushur me flamuj serbë të bëjnë të kuptosh se je në një vendbanim shqiptar. Flamujt dhe rrugët e emërtuara në shqip janë shenja dalluese nga Suhodolli i Epërm i banuar me serbë.
Banorët janë mikpritës e të gatshëm të të ndihmojnë por shumë hezitues të flasin para kamerave për shkak të zhgënjimit me shtetin.
Banorët janë mikpritës e të gatshëm të të ndihmojnë por shumë hezitues të flasin para kamerave për shkak të zhgënjimit me shtetin.
“Normal secili qytetar është veç i zhgënjyer se kur është çështje për vota, për politikë, pjesa veriore ka plot gojën, si mediat ashtu edhe politikanët njëjtë. Edhe kryhet ai emision pastaj s’i intereson askujt për këtë pjesë mjerisht”, tha Fatmir Kurti për A2 CNN.
Banorët nuk kanë një mendim unifikues në lidhje me idenë që fshati i tyre t’i kalohet Mitrovicës së Veriut. Mbrapa kamerës, thonë se janë të gatshëm t’i përshtaten interesave të shtetit, edhe pse paqartësitë që lidhen me veriun i bëjnë të zgjedhin që të mbesin me jugun.
“Normal me jug, normal me jug kemi dëshirë se me veri po dihet si po sillen”, vijon qytetari Kurti.
Mirëpo përfaqësuesit politikë shqiptarë të Mitrovicës së Veriut thonë se është në interes të banorëve të Suhodolli që ata t’i bashkohen komunës së tyre.
“Suhadolli është ekskluzivisht, një pjesë e Suhodollit janë me shumicë të banorëve shqiptarë, është mirë që me përfaqësimin e komunitetit shqiptar forcohet edhe faktori politik në komunën veriore të Mitrovicës”, deklaroi për A2, Skënder Sadiku, zv.kryesues i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut
Sadiku thotë se pjesë e marrëveshjes e vitit 2017 ka qenë edhe vija territoriale e komunës e cila akoma nuk është kryer dhe ka mbetur peng i nivelit lokal.
Ai thotë se nuk ka asnjë problem që të ketë më shumë hapësirë për qytetarët e Mitrovicës së Veriut. Ai thotë se Suhodolli edhe pse i përket jugut, barrën financiare për ta e bart veriu.
“Buxhetet, grantet qeveritare, vendet e Asamblesë komunale përcaktohen me numër të banorëve, është në interes tonin, të Kosovës, në interes të komuniteteve të tjera jo shumicë që jetojnë në komuna veriore që të kenë numër më të madh të përfaqësuesve nga komunitetet e tjera”, u shpreh për A2, Skënder Sadiku, zv.kryesues i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut
Çështja e territorit të Suhodolli përmendet në dy nga tri dokumentet e Brukselit ku flitet për lirinë e lëvizjes dhe hapjen e urës së Ibrit.
Aktualisht në këtë fshat jetojnë rreth 2 mijë banorë me këmbënguljen për ta mbajtur atë vendbanim shqiptar përkundër dëbimeve dhe përpjekjeve të organizuara të serbëve për t’iu blerë pronat.