Në “rishikimin e thelluar” të saj më të fundit të datës 18 Tetor 2024, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3 – e qëndrueshme” nga “B1 – pozitive”, duke theksuar përmirësim e profilit të kreditit të vendit si rezultat i forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve ekonomike dhe fiskale.
Moody’s parashikon një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme, të nxitur nga financimet e Bashkimit Evropian dhe zbatimi i reformave përkatëse. Investimet e huaja direkte, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe energjisë, pritet të luajnë një rol kyç, ndërsa transformimet sektoriale synojnë të nxisin produktivitetin. Këto ndryshime pritet të përmirësojnë ekonominë duke zhvendosur fuqinë punëtore nga bujqësia drejt sektorëve më produktivë, si turizmi. Për më tepër, një rritje e qëndrueshme e pjesëmarrjes në tregun e punës do të zbusë sfidat demografike të popullsisë.
Vlerësimi i Moody’s thekson përmirësimin e pozicionif fiskal të vendit, të nxitur nga rritja e qëndrueshme ekonomike e kombinuar me një ulje të konsiderueshme të deficitit fiskal. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është ulur ndjeshëm që nga niveli më i lartë i regjistruar në vitin 2021 dhe parashikon një ulje të mëtejshme graduale në periudhën afatmesme, të mbështetur nga zbatimi i reformave fiskale. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra në 57.5% në vitin 2023, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2008. Agjencia parashikon një rënie të mëtejshme të raportit të borxhit ndaj PBB-së në 54.3% në vitin 2025 dhe, në mungesë të goditjeve, të zbrese nën 50% deri në vitin 2029.