Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 përcakton qartë vizionin, i cili e paraqet Shqipërinë si destinacioni më i ri dhe më emocionues në Evropë, që ofron vlerën më të mirë bazuar në aspektet e cilësisë, gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro në një intervistë për ATSH-në foli për risitë e strategjisë së turizmit Shqipëria 2030 dhe se çfarë pritet të prodhojë ajo deri në vitin 2030.
“Strategjia Kombëtare e turizmit 2024-2030 është instrumenti që projekton zhvillimin e turizmit nën modelin e skenarit të qëndrueshëm me qëllim arritjen e standardeve të larta të shërbimit e mikpritjes. Kjo strategji, e cila aktualisht është në fazën e konsultimit publik, është hartuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me mbështetjen e Kooperacionit Gjerman në Shqipëri dhe me konsulencën e një prej agjencive më prestigjioze europiane në fushën e hotelerisë dhe turizmit siç është Horwath HTL, duke siguruar një bashkërendim mes aspekteve mjedisore, sociale dhe ekonomike”, theksoi Duro.
Kjo strategji, vijoi Duro, fokusohet në krijimin e një mjedisi të ekuilibruar dhe tërheqës që mirëpret investimet dhe siguron përdorimin e qëndrueshëm të burimeve.
Për të krijuar një sektor të suksesshëm turizmi në Shqipëri, synohet tërheqja e investimeve që sigurojnë përfitime afatgjata për të gjithë sektorin e turizmit dhe komunitetet vendase.
“Investimet duhet të theksojnë rëndësinë e ofertave turistike cilësore, të pranishme gjatë gjithë vitit dhe të shpërndara në të gjithë vendin”, shtoi Duro.
Sipas saj, turizmi është një nga shtyllat e zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë dhe rrjedhimisht është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë një kuadër rregullator të përshtatshëm.
“Një sistem i fortë rregullator është thelbësor që Shqipëria të pozicionohet si një destinacion turistik i sigurt dhe i besueshëm, pasi këto janë aspekte kyçe për të tërhequr turistë me mirëqenie të lartë ekonomike. Vend të veçantë zënë përpjekjet e strategjisë për menaxhimin e destinacioneve në mënyrë që të shfrytëzojë potencialin e plotë të turizmit në vend dhe që përputhet me performancën turistike të vendit”, theksoi Duro.
Sa i përket ndarjes së vendit në 6 rajone me strategjinë e re të turizmit, Duro sqaron edhe veçantitë ku do të përqendrohet zhvillimi në secilën prej këtyre zonave.
“Strategjia e turizmit është fokusuar në identifikimin e 6 zonave/rajoneve më të mëdha gjeografike që kanë disa veçori të përbashkëta që lidhen me përvojën, gjeo-morfologjinë, sipas asaj që zhvillohet sot ose do duhet të zhvillohen në të ardhmen, duke projektuar një sërë produktesh, aktivitetesh, eksperiencash, atraksionesh dhe infrastrukturash turistike të krahasueshme ose të ngjashme”, theksoi Duro.
Për këtë arsye, tha ajo, janë identifikuar 6 klastera/zona për zhvillimin e turizmit.
“Klasteri i bregdetit të Adriatikut; Klasteri verior i brendshëm; Klasteri i qytetit të Tiranës; Klasteri qendror; Klasteri i bregdetit të Jonit dhe Klasteri jugor i brendshëm”, tha Duro.
Duro u shpreh se “janë përcaktuar gjithashtu cilësitë e detajuara të secilit klaster, duke përfshirë aspektet thelbësore si produktet turistike parësore dhe dytësore, burimet dhe atraksionet kyçe, si dhe përvojat kryesore që mund t’u ofrohen vizitorëve”.
Vitet e fundit Shqipëria ka pësuar një “bum” turistik duke u vizituar nga miliona turistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë preferuar të kalojnë pushimet e verës, por edhe të vizitojnë zonat malore të vendit.
Ndër qytetet më të vizituara mbeten Tirana, Kruja, Berati, Gjirokastra, Korça, Shkodra, qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda, por edhe zonat malore të vendit si Tropoja, Thethi, Kukësi etj.
Ajo që bie në sy vitet e fundit është se turizmi është gjithëvjetor, jo vetëm në 3 muajt e verës.