Arta Dade ish-deputetja e PS e ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV foli për ish-kryeministrin Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie. Zonja Dade e cilëson Berishën kartë të djegur ndërsa shton se i vjen keq që personalitete të rëndësishme shqiptare ndodhen sot përball drejtësisë për akuza të rënda.

“Më çudit që shumë njerëz, përfshirë edhe ish-ministra të jashtëm, mendojnë se kjo administratë mund t’i heqë statusin “non grata” Berishës. Kur një administratë e cilëson një personalitet si “non grata”, sidomos dikë me të cilin ka pasur marrëdhënie të ngushta dhe e ka mbështetur për dekada, do të thotë se ka arsye madhore për të dalë në atë konkluzion. Nuk ka ndodhur ndonjë rast që t’i kenë hequr këtë status dhe unë nuk e besoj se do të ndodhë, sepse në Departamentin e Shtetit, edhe kur ndërrohen administratat, nuk ka përmbysje të politikave të jashtme të përcaktuara sipas kushtetutës amerikane.
Madje, edhe vetë z. Berisha, në një deklaratë të fundit, nuk e shprehu besimin që do t’i hiqet statusi “non grata”, edhe pse në mënyrë elegante theksoi se nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Është fatkeqësi e madhe që një opozitë vazhdon të kapet fort pas një figure të djegur dhe të konsumuar, e cila nuk ka më çfarë t’i ofrojë partisë, sepse ai nuk e ka problemin vetëm me Amerikën por edhe me Mbretërinë e Bashkuar.

Nuk ndjeva entuziazëm as kur Berisha u shpall “non grata”, as kur politikanë të tjerë të rëndësishëm u bënë objekt i hetimeve të SPAK. Nuk ka vend për gëzim apo entuziazëm në këto raste, por ka keqardhje që personalitete me pozita të larta kanë abuzuar me mandatet që u janë besuar nga shqiptarët dhe elektorati, duke degraduar në këtë mënyrë. Nuk dua të jem e padrejtë ,Berisha ka disa merita, pasi solli një frymë të re dhe më liberale në vitet 1994. Por është për të ardhur keq që personalitete që kanë drejtuar shtetin shqiptar përfundojnë në këto nivele.”- u shpreh zonja Dade në Dritare TV./L.F-dritare.net