“Anëtarësimi në NATO do të hapë rrugën për hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që opozita duhet ta largojë Albin Kurtin nga qeverisja aktuale pasi me antiamerikanizmin e tij, ai po e rrezikon vendin”. Kështu ka thënë kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30, Ramush Haradinaj në kuvendin e pestë zgjedhor të Organizatës të Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Pejë.
Haradinaj ka thënë se hyrja e Kosovës në NATO është shumë e rëndësishme, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të ndihmojë Aleancën Veri-atlantike dhe se hyrja në këtë organizatë do të hapte rrugën për hyrje edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
“Bota është duke ecur në ritme shumë të shpejta dhe çështjen e sigurisë po shkon me dinamikë të vështirë. Ushtria jonë ka se çka i ofron NATO-s, i ofron kapacitetin e vet elitar. Ne mundëm të hyjmë në NATO pa na njohur Serbia. Ne me hy në NATO është edhe parimi që të mos e pengojë Serbia anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në 100- ditshin e parë ajo që ekziston sot si jo zyrtare por miqësore, diskutimi për çështje tona vetëm ka mbërri në nivel dhe ajo do të zyrtarizohet në Qeverinë e Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është edhe një goditje e interesave të armiqve tonë. Me hyrjen në NATO vjen edhe ekonomia”, ka thënë ai.
Kandidati për kryeministër, Haradinaj ka shtuar se nuk është edhe aq i shoqërueshëm me partitë tjera opozitare, por duhet të bashkohen si opozitë e të ndryshojnë qeverisjen aktuale pasi kryeministri Albin Kurti vazhdon me politika antiamerikane.
“Ne duhet ta ndryshojmë Kurtin. E kush e ndryshon, duhet ne opozita. Unë nuk është se jam në dashuri të madhe as me PDK-në, as me LDK-në, por duhet të punoj me ta për ta hequr këtë njeri (Kurtin). Për fat të keq ai ka vazhduar të sillet si antiamerikan. Ka arritur të krijojë një bindje në popullin e vet si antiamerikan që është rrezik për ne dhe është gabim. Na duhet një ndryshim”, ka thënë ai./kosovapress.com