Kryeministri Edi Rama ka treguar bisedën me një përfaqësues të një organizate ndërkombëtare në Shqipëri, i cili u takua me kreun e qeverisë përpara se të largohej në një shtet tjetër për punë.

Në podkastin “Flasim”, Rama rrëfen se përfaqësuesi i tha atij se do ta linte familjen e tij këtu, pasi i biri kishte shumë dëshirë që të jetonte në Shqipëri.

Sipas kreut të qeverisë, ai i tha gjithashtu se Shqipëria është një vend shumë i sigurt, të cilin nuk dinim ta vlerësonim.

“Më bëri përshtypje jo më larg se dje erdhi më takoi se do të largohej përfaqësuesi i një organizate ndërkombëtare këtu në Shqipëri, do të shkonte diku tjetër.

Më tha: ‘Unë familjen do ta lë këtu’. I thashë: ‘Si do ta lësh familjen këtu?’. ‘Po’, tha, ‘do e lë këtu’.

Është nga pjesa tjetër e botës, nuk është nga Europa, se s’dua të jap më shumë detaje se s’kam autorizim. Më tha që djali këtu është njeri tjetër komplet.

I thashë: ‘Sa kohë do të vazhdojë kjo punë’. Më tha: ‘Jo, jo, djali i madh është i vendosur të jetojë në Shqipëri, gruan dhe pjesë tjetër familjes do e lë për këtë periudhë, pastaj do ta shikojmë’. Tha: ‘Ju shqiptarët jeni të çuditshëm nuk e vlerësoni atë që keni dhe patjetër që keni shumë për të bërë’, por tha që Shqipëria është vend i sigurt, se si familje nuk ndihesh vetëm sepse njerëzit janë mikpritës. Nga pikëpamja e klimës dhe ushqimit, çmimeve nuk ka arsye për të mos e shfrytëzuar mundësinë. Këtë e shoh me shumë të huaj, një tjetër nga fusha e teknologjisë amerikane erdhi për pak ditë, dhe tani po qëndron akoma. Ka marrë shtëpi me qira, kosto e jetesës shumë me e ulët në krahasim me çfarë duhet të mbulojë atje”, tha Rama.