Tiranë, 1 Dhjetor- Ministria e Arsimit dhe Sportit organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e Olimpiadave Kombëtare 2023-2024.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vlerësoi arritjet e nxënësve më të talentuar të Shqipërisë në disa lëndë kryesore si gjuha shqipe, matematika, kimia dhe informatika. 
“Sot është një celebrim i arritjeve të nxënësve tanë. Sot kemi 46 fitues të olimpiadave në të gjithë vendin nga Tirana, Vlora, Durrësi, Lezha, Korça, etj”, tha Ministrja Manastriliu.
Olimpiadat u organizuan në disa disiplina si matematika, fizika, kimia, biologjia, gjuha shqipe dhe letërsia, historia dhe gjeografia, duke përfshirë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nga e gjithë Shqipëria.
Ministrja Manastirliu vuri theksin te rëndësia e një sistemi arsimor gjithëpërfshirës që identifikon dhe promovon talentet dhe te investimet që janë bërë një arsim cilësor.
“Ne po investojmë jo vetëm në infrastrukturën shkollore dhe laboratorike, por edhe në rritjen e pagave dhe kualifikimin e mësuesve tanë, për të ndihmuar nxënësit të arrijnë potencialin e tyre maksimal”, tha Manastirliu.