Ish-Përfaqësuesi i Turqisë në OKB, Feridun Sinirlioglu, pas disa muajsh negociata, është propozuar nga 57 vende anëtare të OSBE, në mënyrë unanime për postin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të kësaj organizate. Media turke “Yetkin Report” në artikullin e saj shpjegon se përse përfaqësuesi i aleancës Greqi-Turqi arriti të fitonte përballë asaj të Shqipërisë dhe Holandës me kandidaturë ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.

Burimet për median turke theksojnë se Greqia dhe Turqia ranë dakord të veprojnë së bashku në aleancën e pazakontë diplomatike që i hapi rrugën Sinirlioglu për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i organizatës. Bëhet me dije po ashtu se diplomatja greke Maria Telalian do të drejtojë ODIHR-in. Aleanca mes Greqisë dhe Turqisë, dy vende që në dy dekadat e fundit kanë pasur një marrëdhënie konfliktuale, është shembulli i vetëm i fundit i unitetit perëndimor dhe lindor në Euroazi në një kohë të tensioneve në rritje në Kaukaz, Ballkan, Mesdheun Lindor dhe Detin e Zi. Lufta ruso-ukrainase po zgjerohet dhe tensionet po rriten në këto rajone.

Sinirlioglu, i cili më parë shërbeu në poste të rangut të lartë si këshilltar kryesor i presidentit të ndjerë Suleyman Demirel, ambasador turk në Tel Aviv dhe nënsekretar i Ministrisë së Jashtme turke, u emërua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres si Koordinator për Afganistanin pasi ai doli në pension si Përfaqësues i Përhershëm i Turqisë në OKB në 2023. Sinirlioglu mori edhe postin e ministrit të Jashtëm në vend të Mevlüt Çavusoglu, i cili u largua përkohësisht nga posti për shkak të kandidaturës së tij në zgjedhjet e 2015-ës. Hapja e rrugës që Sinirlioglu të bëhet Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së është gjithashtu i rëndësishëm pasi është një post diplomatik ndërkombëtar i nivelit të lartë nga i cili Turqia ka qenë shumë larg kohëve të fundit.