Komisioni i Venecias merr sot në shqyrtim mandatin e Olta Xhaçkës, kërkesën e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali për të zgjidhur atë që shumica e shikon një ngërç të krijuar në marrëdhëniet me Gjykatën Kushtetuese, për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.

Kërkesa u përcoll nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali drejtuar Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie. Ndërkohë një mision faktmbledhës u caktua nga komisioni për të dëgjuar palët.

Në seancën e 13 shtatorit 2024 në Kuvend vota e deputetëve socialistë pengoi për herë të tretë kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetes socialiste, ish Ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Në ndryshim nga dy rastet e mëparshme, socialistët abstenonin në shumicë (65 vota) dhe vetëm 9 votuan kundër.

Kryetarja e Kuvendit iu drejtua Komisionit të Venecias një letër për të marrë opinion nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet se si duhet të votojë. Opinioni nga Komisioni i Venecias kërkohet për të qartësuar sjelljen me rastet që do të pasojnë, për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.

Ndërkohë dje në seancë parlamentare, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi kryetaren e parlamentit se po mbante të fshehur draft opinionin e komisionit të Venecias dhe se nuk kishte ftuar pjesëtarë të opozitës të ishin pjesë e grupit që do të jenë sot në Komisionin e Venecias. Spiropali në replikë tha se nuk e kishte shpërndarë draftin pasi nuk ishte publik dhe se opozitën nuk e kishte ftuar se pasi këta të fundit i kishin refuzuar ftesat