Kryepeskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.
Në mesazhin e tij, Kryepiskopi thekson se ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është prejardhja apo raca, por natyra njerëzore.
Ndër të tjera, kreu i Kishës Ortodokse shton se në botën e sotme, të mbushur me lakmi, konflikte dhe përplasje, mesazhi që jep Krishtlindja është që t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë për të përballuar të gjitha sfidat.
“Perëndia, tek i cili kemi mbështetur jetën tonë, nuk e braktisi njerëzimin, të cilin e mundon egoizmi dhe armiqësia. Ai vazhdon të jetë Emanueli, ‘Perëndia është me ne’, duke i dhënë jetës kuptim dhe përmbushje. Përmes përulësisë, e cila ndërthuret gjithmonë me dashurinë, i kundërvihet krenarisë, rrënjës së përhershme të çdo të keqeje: lakmisë, agresivitetit, konflikteve vrastare dhe përplasjeve shkatërrimtare. Në epokën tonë të ashpër dhe të veçantë, ku në shumë zona vërshon furishëm urrejtja dhe dhuna, ne të krishterët, që i qëndrojmë besnikë Atij që u shfaq në mish, Princit të Paqes, le të bëjmë gjithnjë qëndresë me tërë forcat tona shpirtërore dhe trupore, kudo dhe me aq sa mundemi”, tha ai.
Krishtlindja është festa që kulmon pas një agjërimi 40-ditor të besimtarëve të krishterë. Kjo është festa e dytë më e madhe pas asaj të Pashkës.