Sot që kanë shumë vite bashkë, Bieta dhe Albani mund të tregojnë histori të panumërta nga marrëdhënia e tyre, por ajo historia e fillimit të dashurisë mbetet gjithmonë më e bukura dhe më nostalgjikja. Ndonëse e kanë rrëfyer si janë njohur dhe si kanë vijuar të frekuentohen, gjithmonë e kujtojnë me nostalgji atë që nisi në korridoret e Top Channel.
Sonte, nga “Goca dhe gra”, Bieta iu rikthye edhe një herë historisë së fillimit të dashurisë. Kur u mësuan prindërit atë që po ndodhte mes saj dhe Albanit. Në atë kohë, Albani i kishte dhënë fund një martese, pas së cilës kishte edhe një vajzë. Kjo nuk mund të kapërcehej aq lehtë nga prindërit e Bietës. Kur u pyet si reaguan prindërit kur e mësuan historinë e saj të dashurisë, Bieta tha sonte: “Bombaaa….”, duke shtuar se, në fakt, ata nuk i thanë asgjë, por babi ishte ai që u mërzit më shumë: “Sigurisht që mendonin “i divorcuar, me fëmijë””
Në fakt, i ati nuk e mësoi ashtu siç do të donte vetë Bieta: “Ditën kur e mori vesh, nuk e mori vesh siç doja unë praktikisht, por na pa…” – tregon duke qeshur moderatorja. Por nuk tha gjë, asgjë fare…
Ato ditë, në shtëpi ra qetësia… Derisa e ëma, ndërsa Bieta rrinte në divan, hekuroste. Në një moment, ajo tha: “Epo mirë… të paktën është i gjatë, është gjithë ai djalë…”
Pas kësaj, Bieta tregon se Albani ka për vete mamin e tij, por edhe mamin e saj, ndërsa ajo ka dy baballarë, të atij dhe vjehrrin.