Një moment pikant ka ndodhur gjatë mbledhjes së përbashkët të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, që u mbajt këtë të premte në Prishtinë.
Në një video të kapur nga gazetari Isa Myzyraj, shihet Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke i shkruar një mesazh në një letër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Pas përfundimit të shkrimit, Rama i drejtohet një prej punonjësve në sallë dhe i kërkon që t’i dorëzojë letrën Kurtit.
Në video, “postieri” i lë letrën mbi tryezën e Kryeministrit të Kosovës, i cili në ato momente nuk e hap atë menjëherë.
Ndërkohë, ende nuk janë bërë publike detaje mbi përmbajtjen e mesazhit që Kryeministri shqiptar mund t’i ketë dërguar homologut të tij kosovar, veçanërisht duke marrë parasysh marrëdhënien e tensionuar mes dy liderëve në kohët e fundit.
Kjo ngjarje ka ngjallur kuriozitet në opinionin publik, duke u shoqëruar me spekulime mbi përmbajtjen e letrës dhe pse Rama zgjodhi të shmangte telefonin.
VIDEO E MARRË NGA EURONEWS