Të jesh pjesë e shkollës së Hoteleri Turizmit, për kryeministrin Edi Rama shtë njëlloj sikur të kesh përfunduar studimet në shkollën më të mirë hoteliere të Lozanës. Me të njëjtat kurrikula e standarde si shkolla zvicerane, Rama tha se të diplomuarit e kanë të ardhmen e sigurt.

Shkolla e Hoteleri Turizmit funksionon tashmë me standardet e një prej shkollave më të mirë të botës EHL, shkolla e hotelerisë në Lozanë.

“Mësohet sipas shkollës së Lozanës, një ndër shollat më të mira në botë, moment krenarie. përmbushëm të gjitha standardet e përmbushura nga shkolla e Lozanës. Kur të dalin do kenë një dokument që provon se kanë marrë ok nga shkolla e Lozanës”, tha Edi Rama.

Këto standarde për kreun e qeverisë përkthehen në paga shumë të mira për nxënësit që diplomohen në këtë shkollë.

“Pagat po rriten dhe do rriten, ka shumë nevojë për punëtorë”, shtoi Rama.

I shoqëruar nga ministri Blendi Gonxhja, kreu i qeverisë pa nga afër ambientet ku nxënësit e Hoteleri Turizmit bëjnë teorinë dhe praktikën, në drejtime të ndryshme.

Një këshillë për nxënësit e pati përfaqësuesi i grupit zviceran EHL.

“Gjithmonë dhuroni një buzëqeshje. jemi këtu për t’ju mbështetur”, tha përfaqësuesi i grupit zviceran EHL.

Ambasadorja zvicerane në Tiranë, Ruth Huber tha se ky bashkëpunim vjen në një kohë kur turizmi ka marrë hov në Shqipëri.

EHL është shkolla e parë hoteliere në botë, e themeluar në 1893 ndërsa këtë vit u rendit si shkolla më e mirë në botë e menaxhimit të hoteleve.