Çdo shqiptar parashikohet të ‘fusë’ në portofolin e tij çdo ditë mesatarisht 28 euro, përgjatë 12 muajve të ardhshëm, me rritje prej 2 euro krahasuar me vitin aktual.

Ministria e Financave ka planifikuar që të ardhurat për frymë për vitin 2025, të arrijë në 841 euro në muaj nga 797 euro e llogaritur këtë vit. Në relacionin e buxhetit 2025 thuhet se të ardhurat për frymë do shkojnë në 10.094 euro në vit, me rritje prej 521 euro krahasuar me vitin aktual.

Rritja e të ardhurave për frymë do të vijojë edhe në vitet e tjera, për të arritur në 11.257 euro në 2027-ën, thotë Ministria e Financave.

Ky përmirësim sipas relacionit do të vijë nga rritja ekonomike e parashikuar në 3.9%, ulja e nivelit të papunësisë nga 10.2% këtë vit në 9.8% në vitin që vjen si dhe nga rritja e pagave. Mbi këto pritshmëri, qeveria pret edhe rritje të konsumit, si një nga kontribuuesit kryesor të rritjes ekonomike të vendit.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) në 2025-ën planifikohet në rritje me 1.2 miliardë euro, nga 22.9 miliardë euro këtë vit në 24.1 miliardë euro në vitin që vjen.

“Aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga rritja e mëtejshme e konsumit privat, ashtu edhe nga investimet në infrastrukturë si dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë si turizmi. Konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesor i rritjes së PBB-së, stimuluar kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimi në tregun e punës”, thuhet në relacion.

Me ambicien për të shtuar jo vetëm shifrat në sasi por edhe ato në vlerë të turistëve, pra jo vetëm numrat e pushuesve por edhe të ardhurat që vijnë prej tyre, qeveria beson se turizmi do të jetë kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike të pritshme në 3.9% në vitin që vjen.

Konkretisht sektori i shërbimeve pritet të kontribuojë me 2.4% në rritjen ekonomike, industria me 0.5%, ndërtimi me 0.4% dhe në fund është bujqësia me 0.2% ndikim në rritjen ekonomike.

TË ARDHURAT PËR FRYMË
Viti 2024 9.573 euro
Viti 2025 10.094 euro
Viti 2026 10.660 euro
Viti 2027 11.257 euro
RRITJA EKONOMIKE
Viti 2024 3.9%
Viti 2025 3.9%
Viti 2026 4%
Viti 2027 3.9%
GDP E VENDIT
Viti 2024 22.9 mld euro
Viti 2025 24.1 mld euro
Viti 2026 25.3 mld euro
Viti 2027 26.6 mld euro.