Me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar krijimi, organizimi dhe funksionimi i Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”. Administrata e re, e quajtur ndryshe edhe “ZAPK Vjosë”, do të ketë institucionin e saj me seli në Tepelenë. ZAPK do të jetë e financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme. Ndërsa organika do të jetë e përbërë nga drejtori, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para ministrit të Mjedisit dhe Turizmit.

Kreu i kësaj njësie emërohet, lirohet dhe shkarkohet po nga ministri, por ka disa kushte si për përzgjedhjen e tij, ashtu edhe për shkarkimin.

Drejtori emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga ministri. Drejtori duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme: a) Të jetë shtetas shqiptar; b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar; c) Të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë; ç) Të ketë përvojë pune të paktën 3 (tre) vjet në profesion; d) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi; e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.

Drejtori shkarkohet nga detyra kur: a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës; c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit; ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës.

Drejtori lirohet nga detyra kur: a) plotëson kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë; b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor; c) ristrukturohet institucioni; ç) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi; d) jep dorëheqjen nga detyra.

Të ardhurat që do mblidhen do derdhen në buxhetin e shtetit, për çdo aktivitet që do zhvillohet në këtë territor të sigluar tashmë me hartë si Park Kombëtar i Lumit Vjosë. Këto para do të kenë si mision kryesor ruajtjen e Parkut.

“Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës” ka përgjegjësi të organizojë punën për: hartimin dhe zbatimin e planit të menaxhimit, projekteve restauruese dhe konservuese, projekteve kërkimore-shkencore, kryerjen e punimeve të mirëmbajtjes dhe punimeve me karakter restaurues e konservues, në funksion të masave ruajtëse dhe mbrojtëse në zonat e mbrojtura, që ka në administrim. Gjithashtu mbikëqyrjen e efekteve mjedisore të çdo ndërhyrjeje apo zhvillimi të propozuar, brenda territorit gjeografik të Parkut Kombëtar, koordinimin e punës me institucionet e administratës publike, në nivel qendror dhe vendor, partnerët ndërkombëtarë, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e standardeve dhe aktiviteteve të planit të menaxhimit dhe në fund edukimin mjedisor, promovimin dhe ruajtjen e mbrojtjen e Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës,”-shkruhet ndër të tjera në VKM.

VENDIM PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E ZYRËS SË ADMINISTRIMIT TË PARKUT KOMBËTAR “LUMI I VJOSËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 39/1, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës” (në vijim ZAPK Vjosë), si person juridik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura, me seli në Tepelenë.

2. ZAPK-ja Vjosë financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Buxheti i ZAPK-së Vjosë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura. ZAPK-ja Vjosë siguron të ardhura edhe nga shërbimet e kryera prej saj ndaj palëve të tjera dhe tarifat e të cilave përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi për tarifat në zonat e mbrojtura.

3. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

4. Misioni i ZAPK-së Vjosë është të sigurojë ruajtjen dhe mbrojtjen e territorit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”, në zbatim të legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura, nëpërmjet administrimit efektiv të Parkut Kombëtar dhe koordinimit të punës me institucionet përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor për zbatimin e planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË ZYRËS SË ADMINISTRIMIT TË PARKUT KOMBËTAR “LUMI I VJOSËS”

Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës” ka përgjegjësi të organizojë punën për: a) hartimin dhe zbatimin e planit të menaxhimit, projekteve restauruese dhe konservuese, projekteve kërkimore-shkencore; b) kryerjen e punimeve të mirëmbajtjes dhe punimeve me karakter restaurues e konservues, në funksion të masave ruajtëse dhe mbrojtëse në zonat e mbrojtura, që ka në administrim; c) mbikëqyrjen e efekteve mjedisore të çdo ndërhyrjeje apo zhvillimi të propozuar, brenda territorit gjeografik të Parkut Kombëtar; ç) koordinimin e punës me institucionet e administratës publike, në nivel qendror dhe vendor, partnerët ndërkombëtarë, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e standardeve dhe aktiviteteve të planit të menaxhimit; d) edukimin mjedisor, promovimin dhe ruajtjen e mbrojtjen e Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I ZYRËS SË ADMINISTRIMIT TË PARKUT KOMBËTAR “LUMI I VJOSËS”

1. ZAPK-ja Vjosë e shtrin veprimtarinë e saj në territorin e Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”, sipas koordinatave të përcaktuara në vendimin nr.155, datë 13.3.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e ekosistemit natyror të lumit Vjosë “Park Kombëtar”, kategoria II”, dhe organizohet në nivel rajonal.

2. ZAPK-ja Vjosë drejtohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj, përfaqëson ZAPK-në Vjosë në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet para ministrit.

3. Drejtori emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga ministri. Drejtori duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme: a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar; c) Të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë; ç) Të ketë përvojë pune të paktën 3 (tre) vjet në profesion; d) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi; e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.

4. Drejtori shkarkohet nga detyra kur: a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës; c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit; ç) ka performancë të dobët në ushtrimin e detyrës.

5. Drejtori lirohet nga detyra kur: a) plotëson kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë; b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor; c) ristrukturohet institucioni; ç) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi; d) jep dorëheqjen nga detyra.

6. Marrëdhëniet e punës së drejtorit, nëpunësve, si dhe të punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

7. ZAPK-ja Vjosë, në zbatim të misionit, fushave të përgjegjësisë dhe përgjegjësive funksionale të saj, kryen këto detyra: a) Monitoron zbatimin e planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”; b) Mbështet ministrinë përgjegjëse për mjedisin për të përgatitur propozimet për ndryshime dhe përmirësime të kuadrit ligjor dhe nënligjor, që lidhet me zonat e mbrotjura dhe natyrën; c) Koordinon dhe monitoron zbatimin e projekteve në Parkun Kombëtar “Lumi i Vjosës”; ç) Koordinon së bashku me njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e administratës publike dhe partnerët ndërkombëtarë planifikimin e nevojave për investime, bazuar në politikat e qeverisë dhe në planin e menaxhimit të Parkut; d) Koordinon nga pikëpamja teknike projektet për menaxhimin e Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”, të financuara nga buxheti i shtetit apo burime të tjera financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim garantimin e rregullave/procedurave teknike; dh) Bashkëpunon dhe koordinon me institucionet e fushave përkatëse për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme në territorin e Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”; e) Mban lidhje të vazhdueshme dhe informon strukturat e qeverisjes qendrore e vendore për zhvillime të karaktereve të ndryshme, që kryhen jashtë territorit të Parkut Kombëtar, por që mund të kenë impakt në të;
ë) Raporton dhe zbaton detyrat për mbrojtjen dhe zhvillimin e zonave të mbrojtura mjedisore, që ndodhen në Parkun Kombëtar; f) Planifikon nevojat për trajnime dhe koordinon punën për realizimin e tyre; g) Koordinon dhe asiston ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për nismat për menaxhimin Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës”; gj) Monitoron zbatimin e udhërrëfyesit (Green List) të IUCN-së për plotësimin e standardeve të Parkut Kombëtar; h) Ushtron çdo detyrë tjetër, të përcaktuara në akte ligjore e nënligjore.

8. ZAPK-ja ndjek porositë e dhëna nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e projekteve dhe legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura dhe është anëtare e komiteteve të menaxhimit të zonave të mbrojtura për qarqet Korçë, Gjirokastër, Fier dhe Vlorë.

9. Struktura dhe organika e ZAPK-së Vjosë miratohet me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

10. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të ZAPK-së Vjosë miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të saj.

11. ZAPK-ja Vjosë ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria (emri i ministrisë përgjegjëse), Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës””, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

12. Vula e ZAPK-së Vjosë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit.

2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar “Lumi i Vjosës” për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.