Ditën e Premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të masave ajrore të lagështa me origjinë perëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme dhe afatshkurtra me kthjellime (diell) kryesisht përgjatë vijës bregdetare e pjesërisht Ultësirës Perëndimore. Reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të territorit e lokalisht mesatar.
Nga orët e para të mëngjesit deri pasdite reshjet e shiut do të jenë të përqendruara në veri të vendit me intensitet të ulët dhe lokalisht reshje në formë shtrëngatash me shkarkesa elektrike e breshër ndërsa pjesa tjetër e vendit parashikohet të ketë reshje lokale shiu me intensitet të ulët. Pas orëve të mbrëmjes reshjet e shiut parashikohet të rifitojnë sërish intensitet dhe të shpërndahen në të gjithë territorin.
Reshje dëbore me intensitet të ulët në majat e maleve në veri-verilindje të vendit. Era parashikohet të fryjë me drejtim nga kuadrati i lindjes me shpejtësi mesatare 2-9 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare si dhe zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 12-17 m/sek shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 3-4 ballë.