Personi i armatosur dhe i maskuar që vrau liderin e një prej kompanive më të mëdha të sigurimeve shëndetësore në SHBA para kamerave të vëzhgimit të Manhatanit, mbeti i lirë të premten, ndërsa departamenti më i madh i policisë në vend po e kërkonte atë.
CEO i ‘UnitedHealthcare’, Brian Thompson, 50 vjeç, vdiq në pritë herët të mërkurën. Thompson ishte duke shkuar në konferencën vjetore të investitorëve të kompanisë, në në Hilton, Midtown.

Çfarë ndodhi?

Policia tha se Thompson po shkonte në konferencën vjetore të investitorëve të kompanisë në New York Hilton Midtown rreth orës 6:45 të mëngjesit, kur një person shkoi pas tij dhe e qëlloi atë. Thompson ishte vetëm dhe nuk kishte truproja, tha policia. Oficerët e gjetën atë në tokë me plagë në shpinë dhe në brinjën e djathtë, sipas Joseph Kenny-t, shefit të detektivëve të NYPD. CEO u shpall i vdekur në një spital aty pranë në orën 7:12 të mëngjesit.

Çfarë dihet për vrasësin?

Kenny tha se sulmuesi kishte veshur një maskë të zezë për fytyrën, atlete bardh e zi dhe një çantë shpine të veçantë gri. Ai mbërriti jashtë hotelit rreth pesë minuta përpara se Thompson, më pas priti dhe injoroi këmbësorët e tjerë përpara se t’i afrohej Thompson-it nga pas. Pasi sulmuesi filloi të qëllonte, pistoleta e tij 9 mm u bllokua, por ai e rregulloi shpejt dhe vazhdoi të qëllonte, tha Kenny.

“Nga shikimi i videos, duket se ai është i aftë në përdorimin e armëve të zjarrit pasi ishte në gjendje t’i eliminonte keqfunksionimet shumë shpejt,” tha Kenny. Sulmuesi vrapoi në një rrugicë afër hotelit dhe më vonë hipi në një biçikletë elektronike që e mori në Central Park. Kenny tha se policia gjeti një celular në rrugicë, por ishte e paqartë nëse i përkiste autorit.

Kush ishte Brian Thompson?

Thompson ishte shefi ekzekutiv i ‘UnitedHealthcare’, krahu i sigurimeve të kompanisë mëmë UnitedHealth Group Inc. Ai kishte punuar në kompaninë me bazë në Minnetonka, për dy dekada dhe drejtonte divizionin e saj të sigurimeve që nga viti 2021. Ai ishte një nga drejtuesit më të paguar të kompanisë, me një paketë kompensimi vjetor prej 10.2 milionë dollarësh.

Thompson filloi karrierën e tij si një kontabilist i certifikuar publik dhe u diplomua në Universitetin e Iowa-s. Ai jetonte në periferi të Minneapolis të Maple Grove, ishte i martuar dhe me dy djem në shkollë të mesme, Gruaja e tij, Paulette Thompson, tha se burri i saj kishte thënë se disa njerëz e kishin kërcënuar. Ajo nuk kishte detaje, por sugjeroi se mund të kishin të bënin me çështje me mbulimin e sigurimit. Shefi i policisë së Maple Grove, Eric Werner tha se departamenti i tij nuk kishte marrë asnjë raport për kërcënime kundër ekzekutivit.