Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri sërish thirrje sot për kryerjen e vaksinën antigrip, pasi gripi mund të shkaktojë komplikacione të rënda, sidomos te fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Koçiu solli këshillat e mjekëve duke theksuar se “vaksinimi është i rëndësishëm, pasi nuk është kurrë vonë për t’u mbrojtur”.

“Konsultohuni me mjekun e familjes për çdo shqetësim, qendrat shëndetësore janë në gatishmëri 24/7. Zbatoni masat parandaluese: higjienë e mirë, qëndrim në shtëpi në rast simptomash dhe shmangia e kontaktit me persona të sëmurë. Drejtohuni te mjeku specialist në kohë, veçanërisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna”, shkruan ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Mjekja e familjes, Xhentiljana Nazaj pranë Qendrës Shëndetësore Nr.10 u shpreh se vihet re një rritje e numrit të pacientëve që paraqiten me simptomat e virozave të gripit stinor gjatë këtij muaji.

“Përveç respektimit të kushteve të higjienës, shmangia e ekspozimit në ambiente të mbyllura me shumë persona, ushqimi i shëndetshëm, faktori më i rëndësishëm mbrojtës është vaksinimi nga gripi stinor”, tha ajo.

“Ne i ofrojmë vaksinat e gripit në qendrat tona shëndetësore dhe vazhdojmë t’i aplikojmë. Vihet re që pacientët që e kanë kryer rregullisht vaksinën e gripit, e kalojnë më lehtë virozën e stinës me simptoma më te lehta dhe pa komplikacione. Unë si mjeke rekomandoj që të gjithë personat që nuk e kanë kryer vaksinën e gripit të paraqiten pranë mjekut të familjes që ta kryejnë atë sepse duke bërë vaksinën ne mbrojmë veten dhe personat afër nesh”, thotë mjekja Nazaj.

Më herët, ministrja Koçiu është shprehur se deri tani janë përdorur rreth 75% e sasisë totale të vaksinave të siguruara për grupet e riskuara.

Sipas udhëzimeve të MSHMS, vaksinat antigrip mund të bëhet nga janë personat e moshuar mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të merret edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.