Ura e Bilçës në Berat është drejt përfundimit, ku pas vendosjes së trarëve puna përmbi strukturën e urës po shkon drejt mbarimit.

Në një postim në rrjetet sociale sot, Rama përcjell pamje nga “punimet për përfundimin e Urës së Bilçës në Berat”.

Ura e Bilçës në Berat lidh fshatrat Bilçë, Malinat dhe Zhitom i Vogël, dhe së shpejti do të lidhet edhe me rrugën e fshatit Drobonik dhe me gjithë fluksin e mjeteve që do të qarkullojnë nëpërmjet aksit Berat – Ballaban – Përmet – Gjirokastër – Greqi.

Ky investim, cilësuar si një portë e madhe e prurjeve turistike drejt Beratit mijëravjeçar, është projekti i bashkisë Berat me partneritet Fondin Shqiptar për Zhvillim dhe financimit me grant nga fondet e Bashkimit Evropian.

Sipas projektuesve, kjo urë e kthen Bilçën në lagje të qytetit dhe për më tepër, zgjeron paketën turistike të Beratit, ku vizitorët vetëm pak minuta larg do të gjejnë destinacionet e ekoturizmit në Bilçë dhe zonat përreth.

Ura është me një gjatësi prej 268 metra dhe gjerësi të superstrukturës 12,4 metra ku përfshihen dhe trotuare dhe korsi për biçikleta.