Platforma e-Albania ka bërë një hap të rëndësishëm drejt inovacionit. Tashmë është arritur implementimi i inteligjencës artificiale, një hap që do t’iu vijë në ndihmë të gjithë përdoruesve. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama, përmes një video të shkurtër në Facebook, ku prezantohet edhe ‘Diella’, asistentja virtuale ‘zadrimore’, e cila shfaqet edhe me veshje popullore.

Ky opsion do të jetë gati për përdoruesit brenda pak muajsh dhe do t’i asistojë ata gjatë ndërveprimet në e-albania. Përdoruesit mund t’i drejtojnë pyetje asistentes virtuale, e cila përmes inteligjencës artificiale mbledh informacionet e nevojshme dhe ia vendos përdoruesve në dispozicion.

“MIRËMËNGJESI dhe me Diellën, ndihmësen tuaj zadrimore që sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t dhe për disa muaj do të jetë gati jo vetëm t’ju asistojë gjatë ndërveprimit tuaj me platformën e-Albania po edhe t’i kryejë shërbimet për ju me një lutje të vetme, ju uroj të diel sa më të qetë”, shkruan Rama.

Ky opsion nuk është i detyrueshëm, pasi përdoruesit mund të ndërveprojnë në e-Albania edhe pa ndihmën e asistentit virtual. Kjo risi pritet të lehtësojë ndërveprimin e qytetarëve me platformën, duke ofruar asistencë të personalizuar dhe kryerjen e shërbimeve në mënyrë të shpejtë dhe efikase.