Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, takoi në Elbasan përfaqësues të bizneseve duke adresuar sfidat dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik në rajon.
Në fokus të diskutimeve ishin çështjet kryesore që ndikojnë sektorin privat, përfshirë përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen për eksportuesit, zhvillimin e fuqisë punëtore dhe nxitjen e investimeve të reja.

Gjatë takimit, ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes qeverisë dhe sektorit privat për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar më shumë vende pune në Elbasan.
Pasi prezantoi disa projekte të rëndësishme që po ndodhin në Elbasan, si akset rrugore që lidhin qarkun me korridorin blu, projekti i Auto Moto Parkut, Rikualifikimi i Kalasë etj, Ministri Mazniku theksoi se është e rëndësishme që edhe bizneset të ndjekin këtë ritëm për të rritur kapacitetet e qarkut për të mirëpritur më shumë turistë.

“Projektet e qeverisë po ndodhin dhe është e rëndësishme që edhe bizneset të ndjekin këtë ritëm për të rritur ekonominë përmes shtimit të numrit të turistëve,” u shpreh ministri.
Përfaqësuesit e bizneseve vlerësuan nismat qeveritare që kanë ndihmuar sektorin privat, por theksuan nevojën për masa të mëtejshme për përmirësimin e klimës së biznesit.
Ky takim është pjesë e një sërë iniciativash që synojnë përfshirjen më të gjerë të sektorit privat në vendimmarrje dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për sipërmarrjen dhe inovacionin.

Në takim ishin të pranishëm, Minsitrja e Shtetit për Pushtetin Vendor, Delina Ibrahimaj, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja dhe deputetët e qarkut Elbasan.